Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili synon edhe një mandat të ri katër vjeçar, iu ka bërë thirrje mërgimtarëve që të aplikojnë për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Mërgata e dashur e Junikut, fitorja jonë është në duart tuaja! Në zgjedhjet e kaluara, ju ishit vendimtarë — ju e vulosët fitoren tonë! Sot, edhe një herë, po ju drejtohemi me dorë në zemër:
Na duhen vetëm 30 minuta nga koha juaj, për të na dhënë edhe 4 vite së bashku, drejt zhvillimit të Junikut. Ne kemi qeverisur për të gjithë qytetarët pa dallim, me duar të pastra, me ndershmëri, me përkushtim dhe me punë të palodhshme, pa u ndalur asnjëherë për ta zhvilluar Junikun tonë në çdo fushë. Pa ju, fitorja nuk është e sigurt. Pa ju, projektet tona që i kemi filluar së bashku mund të mbesin në gjysmë. Andaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve, çdo qytetari të Junikut që jeton jashtë vendit – aplikoni për të votuar! Na nevojitet përkrahja juaj më shumë se kurrë, që këtë herë ta fitojmë pa balotazh, që në raundin e parë!”, ka shkruar Shehu.
Ai ka shtuar tutje se afati i fundit për aplikim është deri më 29 gusht.
“Aplikimi është i thjeshtë – ju nevojitet vetëm një lejeqëndrim, një fotografi e juaja online dhe një faturë me adresën tuaj. Asgjë më shumë! Aplikoni këtu: 🔗 https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:







