Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Komunën e Junikut, kryetari aktual Ruzhdi Shehu, ka mbajtur takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore me gratë dhe vajzat e kësaj komune. Në këtë tubim morën pjesë mbi 200 gra junikase, të cilat shprehën mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij.
Shehu theksoi se ndryshe nga tubimet e partive të tjera, pjesëmarrëset në këtë aktivitet ishin të gjitha nga Juniku dhe votueset e kësaj komune. Ai falënderoi gratë dhe vajzat për përkrahjen, duke e cilësuar atë si “forcë vendimtare për fitore”.
“Gruaja është shtylla e shoqërisë, potenciali dhe fuqia më e madhe që e kemi. Në mandatin tonë të dytë do të vazhdojmë me shumë projekte që kanë në fokus përkrahjen e rolit të gruas dhe fuqizimin e saj në vendimmarrjen e Komunës së Junikut,” deklaroi Shehu.
Ai u shpreh i bindur se LDK në Junik do të sigurojë fitore pa balotazh, duke përmbyllur fjalën me mesazhin: “Vazhdojmë +4 pa balotazh.”







