Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së kaluar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e cilësuar periudhën 12-vjeçare të tyre si “definicionin e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit publik”.

Në një postim në rrjete sociale, Shehu ka theksuar se gjatë viteve 2009–2021, AAK ka investuar rreth 2 milionë euro në shtratin e lumit Erenik, por sot, sipas tij, gjendja e lumit është e tmerrshme dhe projekti nuk ka mbijetuar as dy vite.

“Një dekadë dhe 2 milionë euro ia kanë humbur Junikut, vetëm pse kanë mundur,” ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij të parë si kryetar, qeverisja lokale është karakterizuar nga ndershmëria dhe mungesa e aferave, duke përmendur disa nga projektet e realizuara:

  • ndërtimi i rrugës së Rastavicës dhe rrugëve lokale e të bjeshkës,
  • ndërtimi i çerdhes së parë në Junik,
  • shkolla e re “Edmond Hoxha”,
  • shërbimet 24/7 në QKMF,
  • instalimi i kamerave dhe sinjalizimit rrugor,
  • ndarja e bursave dhe subvencioneve për qytetarët.

Shehu ka theksuar se gjatë këtij mandati janë realizuar mbi 11 milionë euro projekte kapitale, ndërsa ka theksuar se asnjë aferë apo skandal nuk ka shoqëruar punën e tij.

“Projektet tona do t’i mbijetojnë kohës sepse janë planifikuar me kujdes dhe janë ekzekutuar me profesionalizëm maksimal,” ka shtuar ai.

Në fund, Shehu është shprehur i bindur në fitoren e tij në zgjedhjet e ardhshme lokale:

“Më 9 nëntor në mbrëmje, Juniku do të ndriqohet nga fishekzjarret e fitores sonë. Ndërsa më 10 nëntor do të vazhdojmë me punët që na presin gjatë mandatit të dytë, për të mirën e të gjithë junikasve pa dallim. Transformimi i Junikut nuk mund të ndalet.”