Rusia

Rusia arreston dy gazetarë

Rusia raportohet se i ka arrestuar dy gazetarë që kanë punuar për mediumet ndërkombëtare.
Sergei Karelin – një shtetas rus e izraelit – u arrestua të premten, ka njoftuar agjencia “AP”. Ai kishte punuar më herët me këtë agjenci të lajmeve.

Ai akuzohet për “ekstremizëm” në lidhje me punën që supozohet se ka bërë për fondacionin e opozitarit të ndjerë Alexei Navalny. Karelin ka mohuar akuzat.

Një ditë më parë, Konstantin Gabov, u arrestua me akuza të ngjashme.

Gabov kishte punuar me media të ndryshme, përfshirë edhe agjencinë “Reuters”.

Të dy përballen me së paku dy vjet burgim, nëse dënohen “për pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”.

Ata janë gazetarët e fundit që përballen me akuza në mes të një represionit të shtuar në Rusi, ku po vazhdon dukshëm kufizimi i lirisë së shtypit.

“Associated Press është shumë i shqetësuar nga ndalimi i gazetarit Sergey Karelin. Ne po kërkojmë informata shtesë”, ka thënë agjencia amerikane e lajmeve.

Karelin e Gabov akuzohen se kanë ndihmuar në përgatitjen e videove për kanalin e YouTubet të Navalnyt.

Navalny vdiq në shkurt në koloninë penale në Arktik ku po vuante dënimin me burgim.