Kryeministri Albin Kurti do të presë të hënën në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i vetmi nga tre liderët opozitar që e ka pranuar ftesën e shefit të ekzekutivit. Sipas Kurtit, në këtë takim pritet të diskutohet rreth agjendës legjislative, ndërsa sipas Krasniqit për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Përballë njëri-tjetrit, në të njëjtën tavolinë, si rrallëherë të hënën do të ulen kryeministri Albin Kurti dhe Memli Krasniqi, kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend.

Shefi i ekzekutivit, përmes këtij takimi të ftuar nga vetë ai, do të synojë të shtyjë para agjendën e legjislativit, derisa i pari i PDK-së caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar ftesën e Kurtit për takim.