Rushiti për aktakuzën ndaj serbit që dyshohet se dhunoi seksualisht një shqiptar gjatë luftës: Jep shpresë për të mbijetuarit

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, për aktakuzën nga Prokuroria Speciale, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se jep shpresë për të mbijetuarit dhe familjarët e tyre që drejtësia mund të vihet në vend.

“Duke marrë parasysh rrethanat dhe duke ditur që shumica e personave që kanë qenë të përfshirë në krimet e luftës nuk janë prezent në Kosovë, mendojmë që kjo paraqet një lloj satisfaksioni për personat që e kanë pësuar këtë krim”, ka thënë Rushiti.

“Mendoj që është shpresëdhënëse dhe i motivon edhe gratë edhe burrat tjerë që kanë përjetuar këtë krim gjatë luftës për të vazhduar rrugëtimin…për ta ka shumë rëndësi që drejtësia të vihet në vend”, ka thënë tutje Rushiti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për veprën penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ishte pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, i cili në bashkëkryerje me disa persona të tjerë e kanë dhunuar seksualisht një mashkull të nacionalitetit shqiptar.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.