Futbollistët rumunë shpresojnë që të mos shfaqen probleme në stadium në Bukuresht në ndeshjen e së premtes me Kosovën.

Dardanët nuk kanë përvojë të mirë nga udhëtimi paraprak në kryeqytetin rumun pasi loja ishte ndërprerë për gati një orë për shkak të thirrjeve të huliganëve rumunë “Kosova është Serbi” dhe për shkak të banerave të shfaqur në tribuna.

E futbollistët e Kombëtares së Rumanisë frikësohen që skena të tilla të përsëriten edhe të premten mbrëma në ndeshjen vendimtare për vend të parë të Grupit 2 në Ligën C në Ligën e Kombeve.

Himni i rumunëve u vërshëllye në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në muajin shtator, si shenjë revolte për sjelljen e rumunëve ndaj Dardanëve paraprakisht.

E lojtarët rumunë presin që himni shtetëror i Kosovës të vërshëllehet, por urojnë që të mos ketë më shumë probleme në stadium.

“Urojmë të mos ketë probleme, nuk është një revansh për ne, por për ata. Është e dukshme se tifozët do ta vërshëllejnë himnin e tyre, edhe pse shpresojmë që kjo të mos ndodh. Ne jemi të fokusuar te loja, duam të fitojmë përmes një loje të mirë, njëjtë siç kishim bërë edhe në udhëtim. Ne e kemi mendjen tek Kupa e Botës, ku synojmë të shkojmë”, deklaroi për mediat rumune ylli i kësaj Kombëtareje, Razvan Rat.

Ndër të tjera, futbollisti tjetër rumun, Andrei Burca u bëri thirrje tifozëve që t’i evitojnë thirrjet dhe po ashtu incidentet, në mënyrë që të evitohet më e keqja – ndërprerja e lojës apo dënimi për rumunët.

Qetësi në tribuna ka kërkuar edhe selektori Mircea Lucescu.

“Ne s’kemi nevojë të krijojmë atmosferë armiqësore për kundërshtarët tanë. Ne duhet të përpiqemi të qëndrojmë brenda kufijve të sportit dhe futbollit. Përkrahja duhet të jetë e tillë që lojtarët ta ndjejnë praninë e publikut”, u shpreh trajneri legjendar.