Shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, ka ngritur zërin dhe ka nisur një fushatë për kthimin e transmetimit të Champions League falas në televizion.
Në një intervistë për Sport Bild, legjenda e klubit bavarez thotë: “Kohët e fundit Sport Bild ka publikuar numrin e teleshikuesve: minus 84%, që kur Champions League nuk transmetohet më në ZDF. Duhet të bëjmë diçka, të gjejmë një marrëveshje në mënyrë që për periudhën e ardhshme, 2021-2024, të paktën një ndeshje, mundësisht një ndeshje e nivelit të lartë, të shihet falas nga tifozët”.
Bosi i Bayernit shpjegon: “Edhe drejtuesit e Dortmund, Schalke e Hoffenheim, që përfaqësojnë Bundesligën në Champions League këtë sezon, me shumë gjasa do ta mendojnë si unë. Duhet të kujdesimi për interesin e tifozëve, duhet më shumë respekt për ta. E kam thënë gjithmonë: ne nuk jemi si në Angli, ku ndeshjet ka vite që transmetohen vetëm në televizionet me pagesë. Kemi kulturë tjetër futbolli dhe kjo duhet marrë parasysh”.
Rummenigge e sheh si një problem edhe për sponsorët: “Televizionet me pagesë ofrojnë kontratat më fitimprurëse në tregun e televizioneve, por nuk duhet të harrojmë se edhe kontratat e sponsorizimit në Champions League janë shumë fitimprurëse. Nëse audienca bie me 84%, do të thotë që këta sponsorë nuk po shërbehen si duhet. Duhet një miks i drejtë mes TV me pagesë dhe atij falas, përndryshe Champions League do të pësojë dëme të mëdha për shkak të braktisjes nga sponsorët”.
Një debat i tillë vlen edhe për Kosovën, ku në të shkuarën ka pasur edhe ndeshje falas në TV, por ka kohë që Champions League transmetohet vetëm në TV me pagesë.







