Rukiqi: ZRRE nuk do t’i dëgjojë kërkesat e shqetësimet e bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar një tryezë publike në të cilën morën pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik si dhe përfaqësues të bizneseve.

Në këtë tryezë u diskutua shqetësimi i bizneseve për çështjet e vetëkonsumit të energjisë elektrike, si alternativë e vetme e shumë bizneseve të cilat për vite me rradhë kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik.

Kryetari i Odër Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi fillimisht njoftoi se përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë qenë të ftuar në këtë takim, megjithëse kanë refuzuar të marrin pjesë. Rukiqi beson se ZRRE ka filluar ta keqkuptojë rolin që ka. Ai tha se ZRRE mund të jetë mekanizëm i pavarur politikisht, por ata nuk janë të pavarur nga përgjegjësia publike.

Rukiqi theksoi se të gjithë konsumatorët e lidhur me tensionin 10kv dhe 35kv do të detyrohen t’iu bashkohen konsumatorëve të lidhur në 110kv dhe 220kv dhe të gjejnë zgjidhje të tjera për furnizimin e tyre, i cili nuk rregullohet nga ZRRE-ja.

“Këta konsumatorë, që përfaqësojnë një shumicë të madhe të bizneseve (përveç bizneseve me më pak se 50 punëtorë), do të detyrohen të lidhin kontrata për furnizim me energji elektrike, i cili do të mbulohet tërësisht nga importi. Në një situatë të tillë, këta konsumatorë mund të përballen me ndryshime drastike të çmimeve, varësisht nga çmimet dhe sasia e disponueshme e energjisë në rajon.

Për më tepër, për shkak të problemeve specifike të Kosovës, edhe pse disa furnizues janë licencuar, tani për tani vetëm KESCO ka mundësi reale të furnizojë këta konsumatorë. Për këtë arsye, mekanizmi i vetëkonsumit është e vetmja alternative për shumë biznese të cilat me vite të tëra kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik. Prandaj sipas tij është shqetësuese për Odën Ekonomike të Kosovës, se si ZRRE përmes Vendimeve të ZRRE-së kufizohet e drejta e çdo konsumuari i cili është kyçur në nivel të tensionit 10 dhe 35 Kv, për të shfrytëzuar këtë të drejtë”, u shpreh Rukiqi.