Rukiqi: Bizneset në Kosovë ballafaqohen me barriera për qasjen në financa

Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë organizuar punëtori për “Gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për Investime të Ekuitetit Privat”, punëtori kjo që synon përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi tha se rritja dhe zhvillimi i bizneseve në Kosovë po ballafaqohen me disa barriera të brendshme dhe të jashtme. Si barrierë të jashtme të të bërit biznes ai e përmendi qasjen në financa, ndërsa si barrierë të brendshme e bizneseve tha është aspekti i planifikimit biznesor, orientimi strategjik dhe raportimi financiar.

“Nëse e shohim mjedisin e jashtëm të kompanive në vitin 2018 si barrierë që na është shfaqur për rritjen dhe zhvillimin e kompanive sidomos të ndërmarrjeve të vogla është qasja në financa dhe çdo mundësi investuesi dhe çdo mundësi financimi alternativ nga ajo çka kemi tash në sektorin financiar në Kosovë gjithmonë është e mirëseardhur në kuptim që rrit qasjen në financa për kompanitë tona. Në anën tjetër kur i analizon barrierat e brendshme të kompanive na del që në aspektin e planifikimit biznesor, orientimit strategjik dhe në anën tjetër vetë të raportimit financiar të kompanive kemi ngecje të konsiderueshme që kompanitë tona i lënë koxha në nivel problematik të gjetjes alternativave financiare”, tha Rukiqi.

Kurse, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovës, Marco Montavanelli tha se Banka Botërore ka mbështetur ndërmarrjet e mesme dhe të vogla në Ballkanin Perëndimor, derisa shprehu zotimin se një përkrahje e tillë do të vazhdoj tutje.Sipas tij motori i ekonomi të vogla si kjo e Kosovës është sektori privat prandaj tha se përmes kësaj punëtorie po ofrohet mundësi për të rritur njohuritë për burimet alternative për financim të sektorit privat. Përfaqësuesi i Bankës Botërore theksoi se projektit e konkurrueshmërisë për NVNM ofrojnë qasje në financim dhe mundësi për rregullimin e legjislacionit dhe rritjen e inspektimeve, raporton KP.

Përfaqësuesi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Vaddim Delleu tha se kjo punëtori synon përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ai tha se projekti për “Gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për Investime të Ekuitetit Privat” është financuar nga Bashkimi Evropian me 3.5 milionë euro.

Delleu duke folur për projektin EDIF të Bashkimit Evropian tha se përmes këtij projekti janë financuar 4 mijë kompani në Ballkanin Perëndimor duke gjeneruar 10 mijë vende të reja të punës.

Në këtë event mësimor rreth mundësisë së qasjes në financa nga sektori privat të pranishëm ishin përfaqësues nga biznese të vogla dhe të mesme në Kosovë.

loading…