Ruiz ankohet se ushqimi i tepërt dhe festat e rrëzuan nga froni

Andy Ruiz Jr. ka pranuar se ka ngrënë çdo gjë dhe ka pirë tepër birra “Corona” para përballjes me Anthony Joshuan për titujt e botës në peshën e rëndë, që u zhvillua të shtunën në Arabinë Saudite, shkruan Daily Mail.

Boksieri meksikan kishte shokuar botën duke e mposhtur Joshuan në qershor me nokaut teknik në raundin e shtatë dhe duke ia rrëmbyer titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë.

Mirëpo, në rimeç të shtunën, ai pësoi bindshëm nga Joshua me vendim unanim pas 12 raundeve.

Ruiz ishte afro shtatë kilogramë më i rëndë në meçin e së shtunës sesa në atë të qershorit. Në përballjen e së shtunës kishte 128.4 kilogramë, plot 21 kilogramë më i rëndë se Joshua.

Ruiz ka pranuar se e ka lëshuar veten para përballjes dhe se është dashur të marrë përgatitjet më seriozisht.

“Mendoj se kam ngrënë çdo gjë. Shtova tepër peshë. Po argëtohesha shumë, po festoja tepër”, ka thënë Ruiz për “TMZ Sports”