Ruçi nuk lejon debatin, opozita largohet nga Kuvendi! Basha: Qeveria ka vdekur

Është tensionuar seanca e jashtëzakonshme plenare e cila u mblodh këtë të mërkurë për të votuar emrat e dekretuar nga Presidenti për ndryshimet që Rama bëri në qeveri.

Pas debatit mes krerëve të grupeve parlamentare të opozitës (Braho, Vasili) dhe të maxhorancës (Balla) kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka vendosur që të nisë menjëherë me hapjen e votimit dhe me kalimin e emrave të rinj në qeveri.

Pas bllokimit të foltores, shumë deputetë të opozitës më tutje janë larguar, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha ka nisur të flasë nga aula pa mikrofon.

Në dalje të kuvendit, Lulzim Basha ka deklaruar për median se seanca e sotme ishte një shfaqje e turpshme e qeverisë e cila e ka kthyer parlamentin e vendit në një fasadë.

“Asnjë rregull i procedurës parlamentar nuk e pengon opozitën të marrë fjalën, por e pengon një kryetar kuvendi dhe një kryeministër hajdut. Sot ne kemi një qeveri të vdekur. Deri dje kishim një qeveri në koma që erdhi në pushtet me votat e krimit dhe paratë e oligarkëve. Jemi në gjendje emergjence kombëtare. Për herë të parë që nga koha e Enver Hoxhës, jemi sot në një kohë kur Rama do të mbajë dhe postin e Ministrit të Jashtëm. Faturat e kësaj qeverie po i paguajnë shqiptarët, studentët, banorët e Astirit.”-tha Basha.

Nderkohe ne Parlament, qeveria ka votuar me kartonat e maxhorances te gjithe emrat e rinj te qeverise.