Rubin: Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të vështira, por duhen ende të tjera

I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, ka komentuar edhe Marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel fillimisht dhe më pastaj më 18 mars në Ohër.

Rubin, i cili po qëndron në Ballkanin Perëndimor në një vizitë katër ditore, në një konferencë për media në Mal të Zi, ka thënë se nëse zbatohet kjo marrëveshje, do të ketë një perspektivë për një të ardhme më të ndritur për rajonin.

Megjithatë, sipas tij, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të merren vendimet të vështira.

“Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por duhet të merren disa të tjera”, ka thënë Rubin.

Në anën tjetër, ai është  pyetur se si e sheh rajonin tani krahasuar me vitet e 90’ta, ai thotë se sheh dallime të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

“Shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit, masakrave masive të civilëve të pafajshëm. Tani mund të shohim perspektivën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, nëse liderët e pranojnë shansin që u është dhënë”, shtoi ai, shkruan mediumi malazez “Vijesti”.

Po ashtu, Rubin theksoi se SHBA-ja, i mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon BE-ja dhe ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale, t’u mundësojnë popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin simbolet, të drejtat e pakicave, liritë dhe të ecin përpara.