Rryma e lirë gjatë natës, por shumë vende nuk kanë ujë pas orës 23:00

Banorët e lagjeve Kalabria, Bregu i Diellit dhe Ulpiana në kryeqytet si dhe ata të Fushë Kosovës e Drenasit, kanë reduktime të ujit nga ora 23:00 e natës e deri në mëngjes, për shkak  të turbullirës së ujit në liqenin e Batllavës.

Duke qenë se përballen me mungesë të ujit, banorët e këtyre zonave e kanë të pamundur që të zbatojnë masat për kursimin e energjisë ashtu siç po ua kërkon shteti, të përdorin enëlarëset e rrobalarëset nga ora 00:00 e natës.

Sipas Milot Krasniqit, banor i lagjes Kalabria në kryeqytet, mundësi e vetme është që këto pajisje për larje të përdoren gjatë ditës ose në orët e mbrëmjes kur tarifa është më e shtrenjtë.

Por, zëdhënësja e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, i tha Klan Kosovës, se reduktimet e ujit do të ndërpriten sapo të largohet turbullira e ujit.