Rruga “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 të Prishtinës nuk po e mban asfaltin. Ajo fillimisht u asfaltua në vitin 2004.
Në fund të vitit 2016, rruga “Muharrem Fejza”, u asfaltua për të dytën herë. Asfalti që ishte shtruar, kishte për qëllim sanimin e gropave, gjë që bëri që qëndrueshmëria e tij të mos jetë afatgjate, shkruan Ballkani.info.
Nga Komuna e Prishtinës, e cila aktualisht udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, akuzojnë qeverisjen e kaluar të LDK-së për investime pa plane konkrete.
“Ajo rrugë është shtruar pa plan dhe pa projekt nga qeverisja e LDK-së, shumë vite më parë. Si rrjedhojë, nuk është as e nivelizuar andaj ka gjithmonë problem dhe kërkon investim të madh”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri për Ballkani.info.
Rruga, sipas banorëve të kësaj lagje është riparuar kohë pas kohe, por nuk ka pasur qëndrueshmëri. Si pasojë e reshjeve atmosferike dhe qarkullimit të kamionëve të kompanive që janë duke ndërtuar komplekse banesore në këtë zonë, gropat e shumta janë bërë përditshmëri e qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë.
“Para dy viteve, është punuar në këtë rrugë me kontratën për sanime të gropave, pra është shtruar një shtresë e hollë sa për t’i mbuluar gropat që kanë qenë. Intervenimet e herëpashershme që i kemi bërë, kanë qenë zgjidhje të përkohshme, e jo të përhershme”, ka thënë Tahiri.
Rruga duhet të ndërtohet nga fillimi
Në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për Ballkani.info, është thënë se rruga duhet të ndërtohet nga fillimi, projekt ky i cili është hartuar tashmë.
“Ajo rrugë duhet të ndërtohet nga fillimi, për çka ne tashmë i kemi bërë edhe projektet konkrete. Si Komunë, jemi duke i shqyrtuar dy mundësi, për zgjidhjen e problemit të rrugës “Muharrem Fejza”: ta ndërtojmë prej fillimit dhe ta bëjmë rrugë njëkahëshe; apo ta ndërtojmë si rrugë dykahore, për çka ka edhe probleme pronësore në disa pjesë të saj”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.
Në fotografitë e mëposhtme shihet gjendja aktuale e rrugës dhe gropat e hapura në të. /Ballkani.info













