Rrotacioni Vulin-Gashiq do të thotë kapje totale e Serbisë nga agjenturat ruse – rritet rreziku për rajonin

Shefi i ri i Shërbimit Sekret të Serbisë (BIA), pritet të jetë Aleksandër Vulin, i cili deri dje ishte ministër i Punëve të Brendshme.

Të paktën kështu bënë të ditur media e pavarur serbe “Nova”, duke u thirrur në burime brenda institucioneve serbe.

“Presidenti i SNS-së (Partia Progresiste Serbe), Aleksandër Vuçiq, me rastin e shpalljes së përbërjes së kabinetit të Qeverisë së re të Serbisë, nuk ia ka lexuar emrin, por as nuk e ka falënderuar për ‘bashkëpunimin e deritanishëm’, që sipas burimeve tona tregon se atë e pret një pozicion i ri”, shkruan Nova.

Vulin njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irridentiste për të krijuar të ashtuquajturën “Botë Serbe”, e cila, sipas tij, do të bashkonte “të gjithë serbët kudo që janë” brenda asaj që ai e quan “Botë Serbe”.

“Bota Serbe”, viteve të fundit, është një politikë e lansuar pikërisht nga korrieri i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pra, e njeriut që udhëheq aktualisht departamentet e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi.

Ai në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Vuçiqit, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiç-in nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.

Vendosja e Vulinit në krye të BIA-s do të thotë kapje komplete e Serbisë nga agjentura ruse.

Vulin duke i dhënë mirënjohje Gashiqit

Ish-ministri i Policisë tashmë do ta zëvendësojë Bratisllav Gashiqi, i cili ishte në krye të BIA-së që nga 2017-ta.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në prezantimin e qeverisë së re, që do të drejtohet nga Ana Brnabiq, tashmë Gashiqin e ka kthyer në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme, duke e zëvendësuar me Vulinin.

Gashiq kishte qenë ministër i Mbrojtjes 2014-2016. Ai pati dhënë dorëheqje nga detyra, pas një komenti seksist drejtuar një gazetari të televizionit B92.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme pati organizuar personalisht përgjimin e opozitarëve rusë të siguruara nga BIA, duke konfirmuar se Qeveria e Serbisë është e gatshme t’i nënshtrojë shërbimet e saj të sigurisë ndaj presidentit të Rusisë Vladimir Putin.

Vulin gjatë një takimi me sekretarin e Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev i kishte dorëzuar video të takimeve të opozitës ruse në Beograd, pas të cilëve janë arrestuar aktivistët Andrei Pivovarov dhe Vladimir Kara-Murza.

Së voni janë publikuar informacione se Rusia dhe Serbia në fshehtësi kanë formuar një grup të përbashkët pune për të luftuar kundër “revolucioneve me ngjyra”, detyra e të cilit është të shtyp demonstratat dhe organizimet masive të qytetarëve.

Gazetarja dhe analistja amerikane, Ivana Stradner me anë të një shkrimi në Tëitter ka konfirmuar se Vulin ka spiunuar opozitarët rusë.

“Drejtor i ri i BIA-së do të jetë Aleksandar Vulin, i cili ka lidhje të ngushta me agjenturën ruse të sigurisë. Ai i dha Patrushevit transkriptet e bisedave të përgjuara në Beograd ndërmjet anëtarëve të opozitës ruse”, ka shkruar Stradner.

Po ashtu, eksperti i sigurisë Agim Musliu me anë të një reagimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Serbisë është rrethuar nga agjentura ruse. “Qeveria e re e Serbisë me agjenture ruse përreth, në qendër dhe në krye. Cila është shpresa pro-evropiane e Serbisë? Thjesht nuk ka! Së paku, ta dimë këtë vet!”, shkruan Musliu.

Kujtojmë se është raportuar që Vuçiq e kishte dërguar një ministër në një klinikë të Moskës për t’u rehabilituar nga varësia e drogës, duke aluduar në Vulinin. /Ballkani.info/