Rrjedh ‘dokumenti’ i kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, përmendet edhe ndryshimi i kufijve të Kosovës

Skenat politike të Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë janë tronditur nga lëvizjet e pretenduara të udhëheqjes shtetërore sllovene, e cila, sipas tyre, e ka vizionin e kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.

Me këtë, siç shkruan “B92″pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e Këshillit Evropian për një nga prioritetet  e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.

Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm.

Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në Twitter se i shtë konfirmuar nga zyra e Charles Michel se ai kishte marrë ‘ non – paper’  nga Jansha, në mënyrë që të njoftojë në më pak se gjysmë ore: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”.