Rritja e shpejtë e superyllit të ardhshëm të Francës

Momentet e rëndësishme po vazhdojnë të vijnë për mesfushorin e Rennesit dhe Francës, Eduardo Camavinga, ndoshta lojtarin më perspektiv në futbollin botëror.

Në fillim të këtij muaji ai festoi ditëlindjen e 18-të dhe zbuloi me një buzëqeshje të lehtë se në të njëjtën ditë e kishte kaluar me sukses provimin për patentë shoferi. Në 12 muajt e fundit, Camavinga, talenti i jashtëzakonshëm, është bërë qytetar francez – dhe u paraqit në ceremoni me një kostum të zi, kravatë dhe atlete të bardha – përpara se të bëhej lojtari dhe golashënuesi më i ri i Përfaqësueses së Francës, për më shumë se një shekull.

“Ajo që po ndodh me të është diçka fantastike”, tha trajneri i Rennesit, Julien Stephan, pasi Camavinga mori ftesën e parë nga Franca.

Gjatë ngritjes së pabesueshme, Camavinga ka qenë rregullisht i lidhur me një lëvizje në njërin prej klubeve më të mëdha të Evropës, Real Madridin, edhe pse nuk kanë munguar as ofertat e tjera. Por, tani për tani, Camavinga është i lumtur të vazhdojë të zhvillohet si lojtar te Rennesi, ekip me të cilin do të përballet me Chelsean në Ligën e Kampionëve të martën (18:55).

Camavinga humbi takimin e kaluar të këtyre ekipeve, tri javë më parë, për shkak të dëmtimit. Ai pa Rennesin, që këtë edicion po debuton në Ligën e Kampionëve, të pësojë humbje nga Chelsea në “Stamford Bridge” me rezultatin 3:0.

Me adoleshentin e lindur në Angolë tashmë të kthyer, Rennesi mund të ketë mundësi ta shqetësojë Chelsean dhe të mbetet në Ligën e Kampionëve për ta bindur Camavingan të qëndrojë me gjatë në klub. Rennesi pas tri ndeshjeve të luajtura këtë edicion zë vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë të mbledhur. Javën e kaluar e përditshmja sportive franceze “L’Equipe” raportoi që Camavinga ishte afër zgjatjes së kontratës së tij me Rennesin, që si vendës i luan ndeshjet në stadiumin “Roazhon Park”. Ai mund të vazhdojë kontratën deri në vitin 2023. Mirëpo gjasat janë shumë të vogla që ai të mbetet kaq gjatë të Rennesi. Në rast se vazhdon kontratën, atëherë ekipi francez mund të shpresojë në një dëmshpërblim deri në 70 milionë euro për lirimin e tij.

“E di që ofertat nuk më mungojnë, por njëherë dua të luaj te Rennesi”, tha Camavinga.

E ardhmja në duart e tij

Camavinga është talent që po i çmend të gjithë. Gjithmonë luan me kokën lart, ka udhëheqje të mirë të topit dhe kryesisht luan me këmbën e majtë. Ai duket se po rrëshqet nëpër fushë dhe shenjat e para janë se ai ka filluar të bëhet edhe një kërcënim i madh me shënimin e golave.

Në muajin gusht ai shënoi një gol përrallor dhe vendimtar për Rennesin në një ndeshje të Ligue 1 kundër Montpellierit. Ndërsa muajin e kaluar ai gjeti rrjetën vetëm nëntë minuta pas startit të tij të parë te Franca kundër Ukrainës. Duke vepruar kështu, Camavinga u bë lojtari më i ri që shënoi për Francën që nga Maurice Gastiger, i cili ishte 17 vjeç e pesë muaj, në vitin 1914. I pyetur se cilat aspekte të lojës së tij dëshironte t’i përmirësonte, ai u përgjigj: “Përfundimin tim. Unë dua të shënoj më shumë gola, të jem më vendimtar. Dhe këmbën time të djathtë”.

Sidoqoftë, Camavinga tashmë e ka bërë Kylian Mbappen të duket si lajm i vjetër edhe pse ka vetëm 21 vjet. Pothuajse çdo ditë Camavinga pushton ballinat e lajmeve në Francë, një vend që vazhdimisht prodhon talente.

“Ai është i ri, por është si Kyliani, mosha e tyre nuk ka rëndësi. Unë do t’i grumbulloja të dy së ​​bashku. Ekziston një qetësi dhe pjekuri tek ata që nuk e kisha në atë moshë”, ka pranuar Paul Pogba, mesfushori i Manchester Unitedit. “Megjithatë, Camavinga është i jashtëzakonshëm dhe ka të ardhmen në duart e tij”.

 Këmbët në tokë

Historia e Camavingas do të ishte mjaft e jashtëzakonshme edhe pa karrierën e futbollit. I lindur në një kamp refugjatësh në Cabinda të Angolës, ai ishte dy vjeç kur arriti në Francë me familjen e tij.

Vendi i parë ku u stacionuan ishte qyteti verior Lille, përpara se të lëviznin në Fougeres, një qytet në Brittany, jo shumë larg nga Rennesi. Një prej gjashtë fëmijëve në familje, Eduardo donte të bëhej xhudist si vëllai i tij i madh, por shpejt u bë e qartë se ai kishte aftësi të jashtëzakonshme me topin e futbollit.

“Gjithmonë më ka pëlqyer sporti, në fillim xhudoja dhe pastaj futbolli”, pranon Camavinga.

Në vitin 2013 shtëpia e familjes u shkatërrua nga një zjarr, pas të cilit Camavingas i humbën të gjitha provat e identitetit. E njëjta gjë iu ndodhi edhe familjarëve të tjerë. Por ky është viti kur Eduardo u bashkua me Rennesin, dhe me kalimin e kohës ai u shndërrua në profesionist për t’ua plotësuar të gjitha kushtet familjarëve. Kur familja e tij u paraqit në ceremoninë e natyralizimit të lojtarit, Camavinga kishte një vit si futbollist profesionist. Ndërsa rritet, Camavinga e di që pritjet prej tij do të bëhen gjithnjë e më të mëdha, por ai po mban këmbët në tokë dhe po vazhdon të punojë fuqishëm për t’u zhvilluar edhe më shumë.

“Unë i kam prindërit e mi afër, kështu që e di se nëse bëj diçka gabim, ata do të kujdesen për të më kthyer në binarë. Unë ende jam fëmijë, mundohem të mos bëj gabime, por vetëm të punoj”, shtoi Camavinga. “Për mua është e rëndësishme të përqendrohem në futboll dhe të përmirësohem. Nuk e kam ndërmend të bëhem kokëfortë”.

Camavinga në fillim të këtij viti u promovua në ekipin e parë të Rennesit nga skuadra B dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2022. Këtë edicion ai ka dhjetë ndeshje në të gjitha garat, ku ka shënuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër. Ai tashmë ka dy paraqitje për Francën derisa më herët ka luajtur edhe me ekipin U21. Krahas Real Madridit, Camavinga ka tërhequr edhe interesimin e Bayern Muenchenit, Juventusit, Manchester Cityt, Barcelonës e Paris Saint-Germainit.