Rritet numri i shtatzënave me COVID-19 në Gjinekologji, asnjëra nuk është e vaksinuar

Javën e fundit është rritur dukshëm numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike në QKUK dhe asnjëra nga to nuk është vaksinuar kundër coronavirusit.

25 gra shtatzëna janë së shtrira në repartin për COVID-19 në Klinikën e Gjinekologjisë, teksa 10 nga to po trajtohen me oksigjeno-terapi, e dy janë në gjendje më të rëndë.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli ka thënë se gjendja në këtë klinikë nuk është e mirë, teksa theksoi se kanë hapur edhe repartin e dytë për të pranuar të shtatzëna me COVID-19.

“Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 është rritur dukshëm edhe numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19, sidomos nga e enjtja e kaluar, ku çdo ditë i kemi të shtrira nga 25-26, por kjo shifër varion, pasi ato në gjendje më të lehtë, i udhëzojmë me terapi të shkojnë në shtëpi. Gradualisht numri është duke u shtuar, e kemi hapur sot repartin tjetër për të pranuar shtatzëna me COVID”, tha Ismajli.

Tutje ai shtoi se, “për momentin janë të hospitalizuara 25 shtatzëna, në repartin e ndarë për COVID-19”.

“Nga këto 25 shtatzëna 10 janë në oksigjeno-terapi, ndërkaq dy të tjera janë pak më të prekura. Jemi në konsultim me pulmologun, anesteziologun, infektologun, kështu që janë në monitorim permanent nga ana e profesionistëve”, tha Ismaili.

Ai bëri të ditur që asnjëra nga shtatzënat që janë të infektuara me COVID-19, të shtrira në Klinikën që ai drejton, nuk ka marrë asnjërën nga dozat e vaksinës anti-COVID.

Si edhe profesionistët e tjerë shëndetësor, gjinekologu Jakup Ismajli, drejtor i Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike, ka bërë thirrje që të vaksinohen shtatzënat.

“Kemi bërë disa herë apel që shtatzënat rekomandohet të vaksinohen, duke pasur parasysh që komplikimet janë shumë më të mëdha nga kjo sëmundje. Të gjitha shtatzënat përveç mbajtjes së distancës e masave tjera, e vetmja masë parandaluese në përhapjen e kësaj sëmundje është vaksinimi. Prandaj, unë rekomandoj që të gjitha shtatzënat të vaksinohen”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në QKUK dhe spitale të përgjithshme janë duke u trajtuar 902 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 37 janë në gjendje të rëndë.

Sipas raportit ditor të SHSKUK-së, numri i përgjithshëm i pacientëve të shtrirë është 1 mijë e 16, teksa janë 797 të konfirmuar me COVID-19 që po trajtohen me oksigjeno-terapi.