Rreth 200 kërkesa, presidentja Osmani ende nuk ka falur asnjë të burgosur

Presidentes së vendit Kushtetuta ia mundëson që të bëjë faljen e të burgosurve, por që viteve të fundit kjo e drejtë nuk është shfrytëzuar nga Vjosa Osmani.

1022 persona gjenden në vuajtje të dënimit nëpër burgjet e Kosovës. E 195 prej tyre kanë kërkuar që pjesa e mbetur e dënimit të ju falet nga presidentja Osmani.

Por, e para e shteti nuk ka falur asnjë të burgosur, ndërsa një gjë e tillë s’ka ndodhur nën pretekstin se Komisioni përkatës që merret me shqyrtimin e këtyre kërkesave nuk ka rekomanduar asnjë të dënuar për t’u falur.

Një gjë të tillë e kanë pohuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës, ani pse kanë bërë me dije se 22 kërkesa janë ende duke u trajtuar.

“Prej këtyre 195 kërkesave për falje, Komisioni nuk i ka rekomanduar faljen e ndonjë të dënuari Presidentes së Republikës së Kosovës. Aktualisht në proces janë edhe 22 kërkesa për falje të personave të dënuar, që pas kompletimit me informata shtesë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes Qendrave Korrektuese dhe të Paraburgimit, pritet të shqyrtohen nga Komisioni”, thuhet në përgjigjen e tyre.

RTV Dukagjini për këtë çështje ka pyetur edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Por, nga ky institucion kanë thënë se ata vetëm bëjnë mbledhjen e informacioneve për të dënuarit që kërkojnë të falën.

“Fillimisht ju njoftojmë se Shërbimi Korrektues i Kosovës në bazë të legjislacionit në fuqi bënë vetëm mbledhjen e informacioneve për të dënuarit që kanë bërë kërkesë për falje dhe i përcjellë në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë për procedurë të mëtutjeshme. Nga fillimi i vitit 2022 e deri në fundvit kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 196 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme. Të dënuarit të cilë kanë bërë kërkesë për falje janë të dënuar për vepra të ndryshme penale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mos falja e asnjë të dënuari, nga ana e presidentës Osmani, është parë si shkelje dhe e paarsyeshme nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke thënë se kjo ndikon në gjendjen e tyre emocionale dhe risocializimin në shoqëri.

Kështu mendon edhe avokati, Nasuf Hasani i cili dhe thekson se me legjislacionet në fuqi, falja e të burgosurve nuk është detyrim i presidencës, por vetëm mundësi që e ka në dispozicion.

“Padyshim se është një motivim edhe i të burgosurve dhe për këtë arsye është rregulluar me normativën përkatëse të institucioneve korrektuese. Ai person që i respekton rendin shtëpiak dhe institucionin korrektues normalisht se duhet të shpërblehet”, ka thënë ai.

Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i Osmanit, Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij.