Rregulli i ri që ngriti telashe në VV: Drejtorëve dhe asambleistëve iu ndalohet kandidimi për deputet

Tashmë kur kanë mbetur edhe pak ditë për fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, partitë politike kanë filluar lëvizje dhe kanë marrë vendime të reja si përgatitje për këto zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm sa i përketë përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, sipas së cilit drejtorëve komunalë, asambleistëve, kryesuesve dhe zëvendës kryesuesve të kuvendeve komunale u ndalohet kandidimi për deputetë.

Në një njoftim që kjo parti u ka dërguar qendrave të saj, e të cilin e ka siguruar Gazeta Online Veriu.info bëhet e ditur se ata që mbajnë këto pozicione nuk mund të jenë kandidatë për pozicione tjera gjatë kohës që janë të zgjedhur apo të emëruar.

Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në rastet kur vlerësohet dhe dëshmohet se është i nevojshëm një vendim tjetër.

Veriu.info mëson se një pjesê e konsiderueshme e asambleistëve dhe drejtorëve nuk e kanë pritur mirë këtë rregull, i cili ua cenon drejten për t’u kandiduar, përderisa një aktivist i thjeshtë për dallim prej tyre mundet të kandidoj lirshëm sapo te propozohet nga Këshilli i qendrës përkatëse.

Ky vendim është marrë në përputhje me ndryshimet e fundit statutare që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje dërguar për qendrat e saj gjithandej Kosovës:

Lidhur me rastet kur asambleistë, drejtorët dhe të zgjedhurit apo të emëruarit në nivel lokal, propozhen për kandidatë për deputetë.

Në bazë të Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nenit 86, paragrafi 11, të zgjedhurit apo të emëruarit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në nivel lokal, siç janë anëtarët e kuvendeve komunale, drejtorët komunal, kryesuesit apo zëvendës kryesuesit e kuvendeve komunale, do të përfundojnë mandatin e tyre të plotë kur bëhet fjalë për angazhime apo pozicione tjera për të cilat nuk lejohet mbajtja apo ushtrimi i tyre njëkohësisht.

Si rregull, kjo nënkupton se ata që mbajnë këto pozicione nuk mund të jenë kandidatë për pozicione tjera gjatë kohës që janë të zgjedhur apo të emëruar.

Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në rastet kur vlerësohet dhe dëshmohet se është i nevojshëm një vendim tjetër.

Ky vendim merret për secilin rast nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pas koordinimit me Qendrën përkatëse dhe me propozimin e kësaj të fundit. Nisur nga kjo, dhe në zbatim të paragrafit të tretë të mësipërm, procedura e shmangies të rregullit të nenit 86, paragrafi 11, kërkon, që për personat e caktuar, propozimi së bashku me arsyetimin për një kandidat duhet të vije nga Qendra, kurse vendimi merret me shumicë të votave në Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për secilin rast veç e veç.

Të zgjedhurit apo të emëruarit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në nivel lokal, me qëllim të kandidimit për pozicione tjera, siç është në këtë rast, kandidimi për deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duhet të propozohen nga Qendra përkatëse.

Propozimi nga qendra për një kandidat që veç është i zgjedhur apo i emëruar në nivel lokal, mund të bëhet në tri mënyra.

Megjithëkëtë, në secilën nga këto mënyra, duhet të përmbajë një arsyetim që dëshmon dhe vërteton nevojën për kandidim. 1. Propozim duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të një Qendre, të cilës i përket i propozuari, 2. Propozim me shumicën prej 50%+1 të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Qendrës, 3. Propozim nga Kryesia e Qendrës, pasi që ka mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të delegatëve të Këshillit të Qendrës. Secili propozim, përveç kritereve dhe kushteve të mësipërme, duhet të përmbushin edhe të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara me Statut dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të brendshme, kur bëhet fjalë për kandidimin për deputetë.

Propozimet nga qendra duhet t’i bëhen Kryesisë së Lëvizjes para votimit të kandidatëve të Qendrës në Këshillin e Qendrës.

Kandidatët nga kjo kategori, pas të kenë marrë nënshkrimet apo miratimin e njërës nga mënyrat e lartcekura, i dorëzojnë në KZAQ të Qendrës. KZAQ verifikon të dhënat dhe e njofton KZP-në.

Për të gjitha qendrat, për këta kandidat, KZP duhet të njoftohet, duke i dërguar materialet e nevojshme nga KZAQ më së voni të martën në mbrëmje, datë 12 janar. Pas pranimit, KZP i kërkon Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! shqyrtimin e tyre.

Kryesia pas shqyrtimit njofton KZP me vendimin, kurse KZP njofton kandidatët jo më vonë se para votimit të kandidatëve nga Këshilli i Qendrës. Propozimi përmes njërës nga tri mënyrat e lartcekura shqyrtohet nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Vendimi nga Kryesia merret përmes votimit. Propozimi që merr shumicën prej 50% +1 të të gjithë anëtarëve të Kryesisë, konsiderohet i aprovuar.

Kandidatët e aprovuar nga kryesia renditën brenda kuotës së caktuar të kandidatëve të qendrës përkatëse, në kuadër të dispozitës së Statutit, i cili përcakton se ½ e kandidatëve propozohen nga qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.