Rrëfimi nga Mitrovica: Hajnat e thyen shitoren kur u ndal rryma, pronari që mbeti i vrarë kishte punuar aty për 20 vite

Pas 20 vitesh shitores “Selaci” në Mitrovicë sot i ishte vënë dryni. Në derën e saj ishte ngjitur njoftimi për vdekjen e pronarit Ali Maloku, i cili një natë më parë dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga njëri prej dy personave të maskuar që hynë për të plaçkitur në shitore.

Vrasja e 69-vjeçarit, Ali Maloku, ndodhi në shitoren që e kishte mbajtur hapur për 20 vite rresht. Krimi ndodhi gjatë kohës sa Mitrovica po përballej me reduktime të energjisë elektrike.

Mungesën e energjisë elektrike e kishin “shfrytëzuar” hajnat për të plaçkitur, por aksioni i tyre kriminal përfundoi me vrasjen e pronarit.

Motra e 69-vjeçarit të vrarë Xhezmije Maloku, tha se vëllai i saj u sulmua nga dy persona të maskuar dhe gjatë asaj kohe ishte i vetëm në vendin e punës. Sipas saj, shitorja e Ali Malokut ka qenë cak i hajnave edhe në të kaluarën.

“Kanë tentu më herët me thy marketin, por jo me sulmu vëllain, ka qenë vetëm marketi. Në momentin që mbrëmë u ndal rryma ka ora 21:15 ka qenë, qysh kanë tregu i kanë hy dy persona me maska. Brenda ka pas ndriçim, por jashtë s’ka pas, pamja ka qenë pa dritë, por vetëm s’ka mujt me mbrojt vetën ai kurqysh. Vëllai zakonisht deri në orë 23:00 ka punu”, tha ajo.

Ajo shtoi se vëllai i saj nuk ka fëmijë, ndërsa gruan e ka me probleme shëndetësore. Ndërsa çfarë do të ndodh tutje me shitoren e tij, motra e viktimës tha se do të vendos vëllai tjetër i tyre.

Për rastin foli edhe fqinji i viktimës, F.H., tha për Gazetën Express se kishte pasur komunikim me të rreth 10 minuta para se ta vrisnin.

“Mbrëmë ka ndodh ngjarje e tmerrshme pasi kemi mbërri në shtëpi e kemi kuptu që kanë hy me plaçkitë edhe kanë tentu me marrë para, por e kanë qëllu me armë. Ka qenë tmerr. Na kemi qenë në shpi mbrëmë se s’ka pas rrymë. Para ngjarjes, 10-15 minuta kam qenë te axha Ali për çamçakeza të fëmijëvë, ka mujt edhe fëmija me qëllu në atë momentin kur kanë ardhë me grabit”, u shpreh ai.

Ndërsa fqinji tjetër i 69-vjeçarit, e përshkroi atë si njeri të urtë i cili u vra duke punuar.

“Ka qenë njeri i urtë, ky gjest është shumë i rëndë, ai ka qenë në punë të vetë dhe në shtëpi të vetë. Na u ka dhimtë të gjithëve. Njeri i urtë ka qenë”, tha ai.

Policia tha se të shtëna armësh u dëgjuan mbrëmë rreth orës 22:24 në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë. Vdekjen e viktimës e kishte konstatuar ekipi mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ndërsa lidhur me rastin u arrestuan dy persona të dyshuar.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M. H.,30 vjeçar dhe G. R., 19 vjeçar, u është caktuar masa e ndalimit policor si dhe ndaj tyre, Prokuroria Themelore e Mitrovicës, do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. Këtë informacion e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

Policia ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë dhe dy gëzhoja, “ndërsa për një kohë të shkurtër  janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar një armë pistoletë, dorëza, një thikë dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me veprën penale”, ka njoftuar policia.

Policia tha se qytetarët kanë ndihmuar që të identifikohet drejtimi i ikjes së të dyshuarve dhe kjo ka rezultuar me arrestimin e shpejtë të tyre.

Të dyshuarit kanë qenë emra të njohur për Policinë e Kosovës, para pak ditësh ata dyshohet se kishin grabitur në një barnatore në Mitrovicë.

“Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore”, ka njoftuar policia.

Varrimi i viktimes u njoftua se do të bëhej sot në orën 14:00, por më pas familjarët e vendosën për në orën 16:00 pasi të afërm të 69-vjeçarit, pas tragjedisë, ishin nisur nga vendet evropiane për të arritur në Kosovë.