Rrëfimi i mbrojtësit italian: Rashë në lumë me makinë, shpëtova falë një telefonate

Mbrojtësi italian i West Hamit në Premier League, Angelo Ogbonna ka zbuluar për herë të parë një aksident të rëndë që i kishte ndodhur 11 vite më parë dhe që mund t’i kishte kushtuar humbjen e jetës.

Tashmë 31-vjeçar, Ogbonna tregoi për mediat angleze se 11 vite më parë ishte duke udhëtuar me makinën e tij pas mesnate dhe se ishte përgjumur, ndërsa më pas kishte përfunduar në lumë dhe kishte shpëtuar vetëm falë një telefonate të bërë drejt grupeve të ndërhyrjeve të shpejta.

“Jam me fat edhe që jam këtu dhe po flas me ju. 11 vite më parë po udhëtoja me makinë drejt aeroportit dhe kishte kaluar mesnata. Në një moment më mori gjumi dhe u përplasa me barrierën anësore, ndërsa më pas përfundova në lumë, bashkë me makinën time. Për fat, dikush po udhëtonte shumë afër meje dhe pa gjithë skenën, duke njoftuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilët erdhën dhe më shpëtuan jetën. Megjithatë unë nuk e njoh personin që bëri atë telefonatë të rëndësishme. Nuk i di as emrin”, tregoi mbrojtësi italian.

Angelo Ogbonna shpërtheu te skuadra e Torinos, ndërsa në verën e 2013-ës u transferua te Juventusi, ku qëndroi për dy sezone. Prej verës së 2015-ës, Ogbonna është bërë pjesë e West Hamit, ku ka luajtur më shumë se 100 ndeshje.

loading…