Rrëfimi i epidemiologes së vetme në Podujevë, e cila u përball përgjatë një viti me pacientë të prekur me COVID-19

Një vit i jashtëzakonshëm. Ashtu si në gjithë botën, edhe në Kosovë dominoi “ankthi” nga një armik i padukshëm. COVID-19 “heshti” për disa muaj rrugë, parqe, e institucione të ndryshme në Kosovë. Pandemia lëkundi gjithçka në këtë vend, e ekonomia ra “për toke”. U regjistruan mijëra raste pozitive, e këtë shifër e arriti edhe i atyre me fatalitet.

Më 13 mars në Kosovë u konfirmuan rastet e para pozitive me COVID-19, duke bërë kështu që nga Qeveria Kosovës të merren menjëherë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e një virusi, i cili për burim kishte Wuhanin e Kinës.

Nga Qeveria u mor vendim që shkollat të mbyllen, u pezulluan linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me rrezik të lartë, ekipet mjekësore të QKMF-ve ishin të obliguara të kontrollonin hyrje-daljet në Kosovë. Vetë-karantinimi ishte i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë. Kafiteritë, klubet e natës, palestrat e pishinat u mbyllën.  Por, jo të gjithçka ndaloi. Mjekët, infermierët e punëtorët tjerë shëndetësorë, ani pse më të rrezikuarit, s’u ndalën as edhe një minutë së “luftuar” këtë virus.

Vitia e Malisheva u prekën të parat me këtë virus.  Vetëm dy ditë më vonë, edhe Podujeva u bërë njëra ndër komunat e para me persona pozitivë për COVID-19.

Pikërisht në Podujevë u regjistrua edhe viktima e parë si pasojë e këtij virus. Heshtja dhe frika “mbuloi” këtë rajon, por jo edhe vetëm.  E kjo komunë me rreth 90 mijë banorë, më vonë u bë si komuna me rrezikshmëri të lartë sa i përket rasteve aktive. Këtij rajoni iu shtuan dhjetëra viktima, ndërkohë që 2 mijë llapjanë rezultuan pozitivë. Me gjithë këta pacientë u përball vetëm një epidemiologe e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Bedrie Rama, epidemiologia e vetme në këtë qendër ka rrëfyer për GazetaBlic “eksperiencën” e saj me një sëmundje që shkaktoi miliona viktima në botë.  Rama ka rrëfyer se për t’u përballur me gjithë këtë, orari, siç ka deklaruar ajo, s’përfundoi asnjëherë. S’pati vikend, e s’pati festa për të dhe punëtorët tjerë shëndetësorë.  Numri sa vinte e shtohej. Puna e përkushtimi arriti kulmin tek epidemiologia e vetme në këtë komunë.

“Si epidemiologe e vetme në rajonin e Podujevës kam punuar pa orar, ku kam qëndruar deri në orët e vona të natës vetëm për t’u kryer puna me sukses. Pacientët kanë telefonuar edhe në numër të telefonit personal me konsultime dhe ndihma mjekësore. Kam pasur kontakte të vazhdueshme edhe me ekipet mjekësore anto-covid, pasi menjëherë pasi është konfirmuar rasti i parë ne kemi themeluar qendrën anti-covid, e cila është ndarë në katër ekipe për të punuar përgjatë 24-orëve. Ajo qendër ka qenë aktive prej marsit e vazhdon edhe tani. Kam qenë në bashkëpunim me këto ekipe gjatë orarit por edhe jashtë tij. S’ka pasur vikend për mua gjatë këtij viti, e vazhdon të mos ketë. Çdo të shtunë dhe të diele punoj me një orar të gjatë si dhe gjatë festave. Por, këtë nuk ma imponon dikush, por vetëm që t’u dilet në ndihmë pacientëve” , është shprehur Rama.

Rama, më tutje, ka shtuar se kjo pandemi la pasoja të mëdha në vend. Me veti mori edhe më të dashurit e personave që dolën pozitivë. Veçmas, Rama ka potencuar dy raste që përfunduan me fatalitet, e që siç ka thënë ajo, dhimbja arriti kulminacionin.

“Gjatë këtij viti me pandeminë ka pasur raste të dhimbshme. Rast tejet i dhimbshëm ka qenë edhe ai i një paciente të re në moshë, e cila ka qenë shtatzënë dhe ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19. Ajo është testuar në Prishtinë dhe ka qenë në trajtim atje. Ka qenë prej Podujeve, ka pasur edhe raste kur gratë shtatzëna ka dalë pozitive me virusin korona, por që e kanë kaluar lehtë. Rast tjetër që na ka prekur shumë është vdekja e një pjesëtari të Policisë në Podujevë nga fshati Llapashticë. Ai është testuar dhe trajtuar këtu, por është dërguar nga ekipet mjekësore në Prishtinë, i cili s’ka arritur ta fitojë betejën. Përveç këtij institucioni, kemi pasur edhe punëtorë shëndetësorë që kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Po ashtu, ka qenë një bijë e familjes Haliti e martuar në Bradash, e cila edhe një muaj pasi ka dalë nga spitali s’u lejua të shkojë në shtëpinë e saj në Bradash tek fëmijët, por ka qenë e obligueshme ri-testimi i saj e cila fillimisht ka dalë negativ, e pastaj pozitiv. Kjo ka bërë që të izolohet edhe javë të tjerë. Ajo ka kërkuar që të shkojë te fëmijët e saj, por i është dashur të qëndrojë tek familja e saj në Dumnicë.  Rast që na ka prekur me të vërtetë, por është marrë ky vendim për t’u mbrojtur pjesa tjetër e familjes”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka rrëfyer të gjithë pjesën e kaluar me COVID-19, që nga rasti i parë pozitiv dhe ai me fatalitet.

“Në fillim të janarit, jemi ftuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të gjithë epidemiologët e Kosovës në një takim pune, ku jemi njoftuar për rastin e parë me COVID-19 në Kinë. Prej asaj dite ne kemi filluar me u përgatit secili në rajonin e vetë. Mirëpo, në fillim të shkurtit kemi marrë rekomandim nga Instituti që të formohen ekipet mjekësore dhe të punojnë në Pikën Kufitare ne Merdare. Kemi bërë katër ekipe mjekësore të përbërë nga mjekë dhe infermierë, ndërkohë që unë kam qenë koordinatore e ekipeve dhe kemi filluar punën në Merdare. Punën në këtë pikë e kemi nisur më 24 shkurt, personat që janë ardhur nga vendet me rrezikshmëri të lartë janë ndaluar dhe janë shkuar në karantinë si  dhe ata mërgimtarë. Kurse ata që kanë qenë të dyshuar për COVID-19 i kemi dërguar me autoambulancës e QKMF-së në Klinën Infektive për t’u testuar dhe trajtim të mëtejshëm. Rasti i parë me COVID-19 ka qenë më 15 mars 2020 në fshatin  Dumnicë. Kanë qenë tre anëtarë të një familje, burimi i infeksionit ka qenë nga një person që ka ardhur nga Italia dhe më pas infeksioni është shpërndarë në anëtarët e familjes. Ata i kemi dërguar në Klinikë për të mos u hapur më shumë infeksioni, pasi kanë qenë me familjarë të tjerë. Çdo familje që ka qenë me COVID-19, kemi dalë terren dhe i kemi bërë vizitë mjekësore dhe kemi marrë iniciativën për t’u testuar sa më parë dhe kemi bërë dezinfektimit të shtëpive të tyre. Pas rastit të parë, ka pasur një lloj frike tek punëtorët shëndetësorë, por edhe nga rrethi familjar. Ka pasur familjarë  të rastit të parë që kanë ardhur për t’u kontrolluar, mirëpo frika tek ai ka qenë tejet e madhe. Por, jemi marrë me ta dhe u kemi bërë trajtimin mjekësor. Në rajonin e Podujevës, që nga 15 marsi e deri më 28 mars s’kemi pasur raste tjera. Më 28 mars ka qenë një rast nga një familje tjetër me burim të infeksionit me një familjar që ka ardhur nga Italia. Mirëpo, tek familjarët e tjerë në këtë familje kanë dalë negativë dhe vetë-izolimi është bërë me kohë. Vdekja e parë në Kosovë me COVID-19 ka qenë pikërisht nga Podujeva, nga familja Haliti në fshatin Dumnicë. Vdekja ka qenë më 22 mars. Vdekja e tij ka qenë një trishtim për qytetarët, ndërkohë që të gjithë punëtorët shëndetësorë e kanë përjetuar rëndë, me ç’rast është rritur frika, por njëkohësisht është rritur puna. Dy familjarë të viktimës kanë qenë në Klinikë dhe s’kanë mundur të marrin pjesë në varrim”, ka thënë Rama.

“Rasti i katërt ka qenë më 28 mars, kurse tjetër pozitiv s’ka pasur deri më 20 prill, ku në rajonin e Podujevës u patën konfirmuar katër raste pozitive. Deri në fund të majit i kemi pasur nëntë raste, ku nga puna e madhe s’kemi pasur edhe raste të shumta në fillim të pandemisë përgjatë pesë javëve. Mirëpo, në fillim të qershorit, me lirimin e masave kemi pasur rritje të rasteve ashtu edhe siç ka ndodhur në komunat tjera. Shtatori ka qenë i qetë në Podujevë, por jo edhe ai i tetorit, e po ashtu edhe ai i nëntorit. Gjatë nëntorit kemi pasur rritje të madhe të rasteve, ku kanë shkuar rastet aktive më 488 raste. Kohëve të fundit kemi rënie të lehtë, ku tash janë më pak se gjysma e rasteve aktive sa kanë qenë. Ajo se çka vlen të theksohet është edhe fakti që na është lejuar testimi këtu në Podujevë që nga korriku. Kam bërë kërkesën personalisht në Institut, ku na është dhënë leje për testimin e personave të dyshimtë për virus, pasi vetëm gjashtë Institute rajonale  kanë qenë për testime, kurse ne jemi QKMF-ja e vetme në Kosovë që i kryen edhe testimet me metodën PCR. Jemi duke vazhduar edhe tash me testime që të mos maltretohen qytetarët për t’u nisur në Prishtinë. Ka pasur pacientë me gjendje shumë të rëndë, e kisha cek që ka qenë një polic nga Podujeva. Ai ka qenë në Intensiv për dy javë, por tash është mirë me shëndet. Në Podujevë ka pasur numër minimal i fëmijëve të prekur me COVID-19, por edhe këta kanë qenë me simptoma shumë të lehta. Ka raste që e tërë familja është prekur me virus, mirëpo fëmijët jo”, ka thënë ajo.

Rrezikut s’iu evituan asnjëherë. Kjo bërë që edhe punëtorët shëndetësorë në këtë komunë të infektohen me koronavirus.

“Kemi pasur edhe punëtorë shëndetësorë që kanë rezultuar pozitivë për COVID-19.  Në qendrën anti-covid janë prekur tre mjekë, katër infermierë në atë qendër. Në QKMF 12 mjekë janë prekur me virus, 14 infermierë dhe pjesëtarë tjerë të stafit shëndetësor”, ka thënë ajo.

“Bashkëpunimi ka qenë i mirë me institucionet komunale, IKSHPK-në, Policinë e Podujevës, Inspektoratin Sanitar, Drejtorinë e Arsimit dhe Shëndetësisë. Në ato raste kur ka pasur nxënës të infektuar i kemi mbyllur shkollat. Një shkollë është mbyllur në fshatin Lupc për pesë ditë. Një javë është mbyllur ajo në Majac, por në shkollat tjera mësimi ka vijuar me rregull me përcjellje. E tash janë në pushim, rastet tjera kanë nisur të bien ndjeshëm në nivel vendi, e po ashtu edhe në komunën tonë”, ka shtuar ajo.

Krejt në fund, Rama ka apeluar tek të gjithë qytetarët kosovarë që t’u përmbahen rekomandimeve për parandalimin dhe shpërndarjen e infeksionit.

“Qytetarët i falënderoj që kanë qenë në izolim për një kohë të gjatë, sidomos fshatrat Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë për gati një muaj. Edhe familjet tjera i kemi izoluar por që ka qenë për të mirën e tyre dhe qytetarëve të tjerë. Kanë pasur respekt dhe u kanë përmbajtur rregullave. Edhe tash e tutje vazhdon të jetë rekomandimi që të kujdesen ende, të barten masat mbrojtëse, mos të ketë tubime, të lajmërohen me rregull tek mjekët rastet e dyshimta të testohen me kohë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 51.731 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.340 pacientë kanë vdekur dhe 42.215 janë shëruar, ndërkaq raste aktive aktualisht janë 8.176.