Rrahmanit i shtyhet qëndrimi te Verona deri në gusht

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, nuk do t’i bashkohet skuadrës së Napolit javën e ardhshme kur edhe i përfundon huazimi te Verona (më 30 qershor). Mediumet italiane kanë raportuar të hënën se Rrahmani do të mbetet pjesë e Veronas edhe për dy muaj.

Mësohet se Napoli dhe Verona kanë arritur marrëveshje për ta zgjatur huazimin e Rrahmanit deri më 31 gusht. Kështu që Rrahmani do t’i bashkohet ekipit të ri, Napolit, në muajin shtator për fazën përgatitore për edicionin e ardhshëm.

Në fakt, Rrahmani prej fillimit të këtij viti është lojtar i Napolit, por ekipi napolitan e ka lënë të huazuar qendërmbrojtësin te Verona deri në fund të këtij edicioni. Ky edicion ishte paraparë që të përfundonte në muajin maj, por pezullimi i Serie A në muajin mars për tre muaj shkaku i përhapjes së koronavirusit, ka bërë që datat të ndryshojnë. Vikendin e shkuar, rifilluan ndeshjet e kampionatit italian, i cili do ta përfundojë këtë edicion në muajin gusht.

“Rrahmani do të mbetet te Verona deri më 31 gusht, pasi Napoli është pajtuar që ta vazhdojë huazimin e tij. Ai është njëri prej lojtarëve më të dalluar te Verona dhe do ta ndihmojë shumë ekipin deri në fund të edicionit për të siguruar daljen në garat evropiane”, ka shkruar “Tuttosport” të hënën.

Në të vërtetë, Napoli në janar të këtij viti arriti marrëveshje me Veronan për ta blerë kartonin e Rrahmanit. Për 26-vjeçarin, Napoli pagoi 14 milionë euro dëmshpërblim derisa Rrahmani u pajtua me një kontratë deri në qershorin e vitit 2024.

Ai te Napoli pritet ta zëvendësojë senegalezin Kalidou Koulibaly, që pritet të largohet këtë verë. Rrahmani para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Veronas nga Dinamo e Zagrebit për 2.1 milionë euro dhe këtë sezon ishte ndër lojtarët më të dalluar në kampionatin italian. Aktualisht, Rrahmani është lojtari me më së shumti topa të rikuperuar në Serie A – gjithsej 376. Verona i rifilloi garat me fitore, duke e mposhtur Cagliarin 2:1 të shtunën, ndeshje në të cilën Rrahmani ishte i pazëvendësueshëm. Ai këtë edicion, ka 26 paraqitje kampionale dhe ndeshjen e radhës do ta luajë kundër Napolit, ekip të cilit do t’i bashkohet pas përfundimit të këtij edicioni. Dueli mes Veronas dhe Napolit zhvillohet të martën prej orës 19:30 dhe i takon xhiros së 27-të të Serie A.

Aktualisht, Verona renditet në pozitën e shtatë në tabelë me 38 pikë, një më pak se Napoli që është i gjashti. Rrahmani prej vitit 2016, është reprezentues i rregullt te Kosova dhe deri më tash ka 27 ndeshje e pesë gola të shënuar.