Rrahmani vendimtar në fitoren me përmbysje të Veronës

Verona e dy futbollistëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Amir Rrahmanit dhe Marash Kumbullës, fitoi duke përmbysur ndeshjen me Genoën nga 0-1 në 2-1.

Kapiteni i Kosovës përveç vendosmërisë në mbrojtje tregoi dhe dëshirë për të shënuar.

24-vjeçari ndihmoi në golin e dytë dhe vendimtar të verdhebluve.

Pas një aksioni të gjatë, qendërmbrojtësi mori rolin e sulmuesit duke e goditur topin vetë, por përpjekjen e pasuksesshme për të shënuar e shpërbleu më së miri shoku i skuadrës së Rrahmanit, Zakani, që e shtyu saktë topin në rrjetë.

Futbollisti i Kosovës vazhdon të fitojë vlerësime pozitive për paraqitjet e tij në fushë.