Rrahmani pret të përshtatet lehtë me sistemin e Napolit

Mbrojtësi i ri i Napolit, Amir Rrahmani, ka thënë se nuk do të ketë probleme në përshtatjen me sistemin me katër mbrojtës te skuadra e re. Ai po ashtu ka thënë se s’ka menduar asgjë tjetër kur kishte kuptuar për interesimin e skuadrës napolitane.

Ish-qendërmbrojtësi i Veronës nënshkroi në janar për Napolin, por vazhdoi në formë të huazuar te skuadra e vjetër.

Tani reprezentuesi i Kosovës po përgatitet për sezonin e parë në Napoli dhe është shprehur i lumtur për kapitullin e ri.

“Jam agresiv, i fuqishëm në ajër, por edhe në tokë. Këto janë karakteristikat e mia”, ka thënë ai në një konferencë për media. “Kam luajtur shumë lojë në sistem me katër mbrojtës, edhe për kombëtaren luaj ashtu. Nuk kam problem të përshtatem me sistemin e ri të mbrojtjes”.

Rrahmani mund të luajë edhe si mbrojtës i krahut nëse ka nevojë.

“Në Dinamo të Zagrebit kam luajtur shtatë lojë në Ligën e Evropës si mbrojtës i krahut të majtë. Mund të luaj edhe në krah nëse dëshiron trajneri, jam i gatshëm të ndihmoj ekipin dhe trajnerin. S’kam shënuar shumë gola, por shpresoj të shënoj këtë sezon me Napolin”, është shprehur tutje ai.

26-vjeçari ka thënë se pasi kishte kuptuar për interesimin e Napolit, mendja e tij tashmë ishte e vendosur.

“Pas disa muajsh, Napoli kishte shprehur interesim. Kontaktuan agjentin tim dhe Napoli ishte zgjedhja ime e parë. Nga ai moment, s’kam menduar asgjë tjetër, isha i sigurt se doja të vija këtu”, ka përfunduar Rrahmani.