Rrahmani më i miri në Serie A sa u takon topave të rikuperuar

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka luajtur vetëm një edicion në Serie A deri më tani. Ai në verën e kaluar ishte transferuar te Hellas Verona si lojtar jo shumë i njohur në Itali. Te Verona kishte kaluar nga Dinamo e Zagrebit dhe menjëherë u stabilizua në përbërjen bazë.

Në fakt u paraqit me shumë sukses në qendër të mbrojtjes dhe siguroi transferim te gjiganti italian, Napoli. Për Napolin do të luajë prej edicionit të ri, por edicioni te Verona do t’i mbetet gjatë në kujtesë.

Ai vazhdon të marr lëvdata për paraqitjet që kishte. Të dielën sajti zyrtar i Serie A ka shkruar se Rrahmani ishte më i miri në edicionin e kaluar sa i takon topave të rikuperuar. Pra bëhet fjalë për topa të fituar gjatë ndeshjeve. “I palodhur dhe i guximshëm. Amir Rrahmani është futbollisti që ka rikuperuar më së shumti topa në edicionin 2019/2020 – plot 491”, ka shkruar faqja e Serie A në Tëitter. Që më 20 janar Rrahmani kompletoi transferimin te Napoli. Por luajti si huazim deri në fund të edicionit te Verona. Te Verona luajti së bashku me Marash Kumbullën, reprezentuesin e Shqipërisë të cilin po e kërkojnë skuadrat më të mëdha italiane. Ai pritet të përfundojë te Interi.