Rrahmani: Me golin e parë prekëm ëndrrën e Evropianit, por s’e besuam

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se ndeshja ndaj Çekisë nuk ishte ndeshja të cilën Kosova di ta bëjë.

Ai ka thënë se megjithëse duhet pranuar se Kosova ka qenë më e dobët në ndeshjen me çekët vendas, Kosova shënoi e para duke prekur ëndrrën.

“E dimë të gjithë, kemi folur edhe me njëri-tjetrin se kjo nuk është loja jonë më e mirë që dimë të bëjmë. E prekëm ëndrrën tonë, që e shënuam një gol, por nuk i besonim syve se nuk po luanim mirë”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka thënë se nuk e di nëse dy golat e Çekisë mund të shmangeshin, por ka thënë se duhet pranuar se çekët ishin shumë më të mirë në ndeshjen e sotme.

“Mund të them se në pjesën e parë kemi pasur fat, se ata kanë pasur shumë shansa”, ka thënë ai.

“Natyrisht që kundërshtari ta imponon lojën. Ne nuk ishim të mirë, por kundërshtari na ka pamundësuar të luajmë lojën tonë”, ka thënë ai.

Kapiteni, megjithatë ka thënë se është krenar me atë që ka treguar përfaqësuesja deri më tani.

Kapiteni Rrahmani ka zbuluar se ka pasur një diskutim me gjyqtarin e ndeshjes, në lidhje me sharjet që po vinin nga publiku.

“Në një moment pati një hedhje të shishes në fushë. Në atë kohë unë isha duke i treguar referit për sharje nacionaliste, i cili nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte. Ai u tha lojtarëve çekë që të bëjnë thirrje që të ndalen tifozët, ndërsa mu afrua mua dhe më tha që t’i tregojë nëse persëriten sërish sharjet. Por prej atij momenti nuk ndodhi më”, ka thënë ai.

Duke folur për sfidat e radhës, Rrahmani ka thënë se së pari duhet menduar për ndeshjen e së dielës me Anglinë, e pas kësaj për Ligën e Kombeve në mars.

“Në fillim duhet ta mbyllim sa më mirë ndeshjen me Anglinë, që t’i tregojmë që nuk jemi kundërshtar i lehtë për ta, njësoj si Çekisë, që i treguam, sepse as për ta nuk ishte ndeshje e lehtë”, ka thënë Rrahmani. “Duhet të besojmë dhe ta përmbyllim me kualifikim nga Liga e Kombeve”, ka thënë për KTV-në, kapiteni Amir Rrahmani.

loading…