Deputeti i LVV-së

Rrahmani i VV-së për Gani Jakupin: S’ka kuptim me pi kafe tërë ditën e pagën 7,500 euro

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani është shprehur kundër Gani Jakupit, konsulentit që bëri bujë në media, i cili u raportua se merr pagë prej 7 mijë e 500 eurove.

Rrahmani ka thënë se është e papranueshme që Jakupi të angazhohet me një pagë të tillë. Madje, ai ka thënë se ka kërkuar raport për angazhimin e tij me një shumë kaq të majme.

“Absolutisht që mendoj që është e gabueshme dhe në këtë pikë, unë si deputet por besoj se edhe me mbështetjen e kolegëve të tjerë, kemi kërkuar raportin në fund për punën që e ka ba. Edhe ai në Ministrinë e Kulturës…duhet me u marrë në përgjegjësi ai që e ka emëru, sepse nuk ka kuptim për me pi kafe me i marrë 7 mijë e 500 euro. Absolutisht është e papranueshme dhe në një situatë ku sot në shumicën e institucioneve publike largohet njerëzit”.

“Nuk mundet me qenë një i angazhum prej ambasadës me pagë më të madhe se ambasadori. Kjo për mu është vendim jashtëzakonisht i gabueshëm. Mendoj se ai e ka me projekt, nuk e ka me pagë mujore sa e kom pa, kështu që ato dalin si projekte nuk dalin si paga, mundet me i dalë 100 mijë euro” , ka thënë se Rrahmani në Pressing.

Gjatë javës së kaluar Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka quajtur “modeste” pagën e Jakupit për angazhimin që ai bën. Kryediplomatja tha se paga e Jakupit nuk është mujore, por tha se bëhet fjalë për një projekt të tërë

Gërvalla tha se çdo gjë është e bazuar në ligj, teksa akuzoi opozitën se po e përdorë këtë rast për ta sulmuar.