Rrahmani e Kumbulla me sukses po udhëheqin mbrojtjen e Veronës

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani dhe ai i Shqipërisë, Marash Kumbulla janë duke treguar formë të lartë në Serie A në fanellën e Veronës.

Verona ka njërën ndër mbrojtjet më stabile në Serie A falë dyshes shqiptare, që kanë ndihmuar skuadrën që të mos pësojë më shumë se shtatë gola në tetë xhiro, që e rendit ekipin me mbrojtjen e katërt më të mirë në ligë, transmeton Koha.net.

Vetëm Juventusi, Interi e Udinese kanë mbrojtje më të mirë se Verona këtë edicion.

Madje kjo skuadër vetëm pas tetë xhiros ka pësuar dy gola nga ndeshja e hapur, në humbjen e sotme prej 2-0 ndaj Napolit.

E përveç Napolit e Juventusit askush s’ka arritur t’i shënojë kësaj skuadre 2 gola, me “Zonjën e Vjetër” që njërën nga golat e kishte shënuar nga penaltia.

Uebfaqja “Hellas1903” ka lavdëruar paraqitjen e sotme të dyshesh shqiptare, derisa u ka dhënë notën gjashtë për Rrahmanin e 6.5 për Kumbullën.

Sipas kësaj uebfaqeje dyshja shqiptare, përkundër humbjes, kanë kaluar testin me paraqitjen shumë të mirë.

loading…