Rrahamani mund t’i bashkohet Lazios

Amir Rrahmani shumë shpejtë mund të ndërrojë skuadër në kampionatin italian.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, e ka filluar mbarë sezonin në Serie A te skuadra e Hellas Verona, pas transferimit nga Dinamo Zagreb.

25 vjeçari ka qenë startues në të gjitha ndeshjet te Hellas Verona këtë sezon, duke pasur besimin e trajnerit Juric.

Rrahmani së bashku me Kumbullan, kanë krijuar një dyshe të fortë në Serie A, me mbrojtjen e Hellas Veronas që është në mesin e më të mirave në kampionatin italian.

Këto paraqitje të mira të Rrahmanit, nuk kanë mundur të kalojnë pa u vërejtur tashmë. Sipas ‘lalaziosiamonoi’, ka një interesim nga Lazio, që për drejtor sportiv ka Igli Taren.

Ky medium i bën një përshkrim bindës Rrahmanit, për ndikimin që do të kishte te skuadra nga kryeqyteti italian.

“Rrahmani po tregon besueshmëri, forcë fizike, aftësi për të udhëhequr departamentin e mbrojtjes. Ai është një drejtues, Juric e vlerëson shumë personalitetin e tij, qëndrimin që ai vë në çdo lojë. Ai është 25 vjeç, është ende i ri por tashmë ka një përvojë të shkëlqyeshme”.

Vlera e Rrahmanit sipas mediumit lacial është rreth 5-6 milionë euro.