Rooney thotë se futbollistët e Unitedit janë me Mourinhon

Wayne Rooney beson se futbollistët e Manchester Unitedit dëshirojnë të bëjnë më të mirën për Jose Mourinhon pavarësisht startit të dobët këtë sezon.

“Djajtë e Kuq” ndodhen në pozitën e 8-të në Premier League me 9 pikë më pak se liderët Manchester City e Liverpool, derisa disa paraqitje të klubit nga “Old Trafford” e kanë lëkundur pozitën e Mourinhos.

Sidoqoftë United është i pamposhtur në 3 xhirot e fundit në Premier League, teksa ka mposhtur në shtëpi Newcastlen dhe Evertonin, ndërsa ka barazuar me Chelsean në “Stamford Bridge”.

Rooney që ka fituar 5 tituj në Premier League dhe 1 Champions League gjatë qëndrimit 13 vjeçar te Manchester United, tha se lojtarët janë ende prapa Mourinhos.

“Qartësisht se ata janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë por Mourinho është trajner me shumë eksperiencë dhe futbollistët duhet të bëjnë paraqitje më të mira. Shpresoj se do të vazhdojnë edhe me disa fitore rresht për të shtuar presionin ndaj skuadrave në pozitat e para, vend në të cilin dëshirojmë t’i shohim të gjithë ne. Gjatë karrierës sime nuk kam parë lojtarë që nuk dëshirojnë të luajnë për skuadrën sepse kanë probleme me trajnerin. Jam i sigurt se të gjithë ata punojnë shumë për Mourinhon”, deklaroi Rooney.

Manchester United udhëton të shtunën drejt Bournemouthit për ndeshjen e javës së 11-të në Premier League.