Një ekzekutim perfekt i goditjes së lirë nga Wayne Rooney i mjaftoi DC United për të mposhtur Columbus Crew e për të ruajtur kryesimin në Divizionin e Lindjes në MLS.

Golin e pestë sezonal ish sulmuesi i Manchester United e realizoi me zgjuarsi, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm, aty ku portieri vendës e pati të pamundur ta arrinte.

Për Rooneyt ishte goli i katërt në MLS nëpërmjet goditjeve standarde. Fitorja 1-0 në mbrëmjen e së mërkurës ishte e para në Columbus që prej 18 gushtit të vitit 2007.

DC United ka rritur pretendimet pas nënshkrimit me 33-vjeçarin, që mbërriti në MLS nga Evertoni, qershorin e vitit të kaluar. Skuadra me qendër në Washington konsiderohet një nga favoritet kryesore për të fituar titullin e MLS në këtë sezon.

DC United ka grumbulluar 17 pikë në 9 ndeshjet e para, duke fituar 5 e barazuar 2 dhe aktualisht ka një avantazh prej tre pikësh ndaj Montreal Impact në Lindje.

https://www.youtube.com/watch?v=ZVxXTPuWK20