Rooney: Lojtarët amerikanë nuk paguhen sa e meritojnë

Wayne Rooney thotë se ai beson se futbollistët amerikanë në Major League Soccer (MLS), ligën e nivelit të parë të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk paguhen aq sa duhet, përderisa krerët e ligës janë duke u bërë gati për një marrëveshje të re me futbollistët këtë dimër.

Ish sulmuesi legjendar i Manchester Unitedit ka qenë me DC Unitedin që nga vera e vitit 2018, edhe pse karriera e tij me klubin amerikan do të mbyllet në fund të këtij sezoni, pasi që anglezi do t’i bashkohet Derby Countyt, si trajner dhe futbollist.

Marrëveshja kolektive ekzistuese e ligës skadon më 31 janar të vitit 2020, për të cilën futbollistët kishin hyrë në grevë para se të arrihej marrëveshja në momentet e fundit, gjatë negociatave në vitin 2015.

Këtë herë, fokusi është te pagat e ngritura, akomodimet më të mirë në udhëtime dhe lëvizjet e shtuara të futbollistët, pasi që para katër vjetëve ishte arritur një marrëveshje një formë të kufizuar të transferimeve të lira. Mirëpo, Rooney thotë se ai beson se futbollistët e MLS meritojnë më shumë sesa që po marrin.

“Mendoj se lojtarët amerikanë paguhen më pak sesa që e meritojnë. Mendoj se ata meritojnë të marrin më shumë para në mënyrë që të jenë në të njëjtin vijë me futbollin në pjesën tjetër të botës, por edhe me sportet e tjera në SHBA”, tha Rooney për ESPN.

“Nuk po e them për përfitime të mia, unë natyrisht se nuk do të jem në këtë ligë vitin tjetër. Vetëm mendoj se është e drejtë për lojtarët amerikanë, që punojnë po aq sa të tjerët, që ta fitojnë të drejtën për t’u paguar më shumë për këtë punë”.

loading…