Wayne Rooney e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Premier League janarin e ardhshëm, ndërsa synon të përmbyll karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rooney iu bashkua këtë qershor DC Unitedit në MLS, teksa kishte rol të rëndësishëm në kualifikimin e klubit nga Washingtoni në play off nga u eliminuan në ndeshjen e parë.

Legjenda e Manchester Unitedit dhe Evertonit është lidhur me një rikthim në Premier League në periudhën e pauzës 3 mujore të kampionatit amerikan por vetë 33 vjeçari i ka mohuar këto raportime.

“Nuk dua të lëviz nga vendimi im për të luajtur te DC United, është e rëndësishme të jam i përkushtuar te klubi im. Kam dëgjuar për spekulime që thonin se do të rikthehem në Premier League, por nuk jam i gatshëm për diçka të tillë. Famlija ime është përshtatur atje, fëmijët e mij shkojnë në shkollë dhe nuk do të ishte e drejtë t’i lëvizja nga atje. Unë do ta përfundoj karrierën në SHBA”, zbuloi Rooney.

Wayne Rooney ka edhe 3 vite kontratë me klubin amerikan, ndërsa gjatë karrierës së tij 13 vjeçare te Manchester United ka fituar 5 Premier League, 1 Champions League dhe 1 FA Cup në mesin e shumë trofeve tjerë.

Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Anglisë, do t’i japë lamtumirën “3 Luanëve” në ndeshjen miqësore ndaj SHBA-ve që zhvillohet të enjten në mbrëmje e që njëkohësisht do të jetë paraqitja e 120-të për Wayne Rooneyn.