Aktualisht aktivizohet te DC United në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Wayne Rooney e ka pranuar se dëshironte ta mbyllte karrierën te Manchester United.
33 vjeçari është golashënuesi më i mirë i “Djajve të Kuq” me 253 gola në 559 paraqitje gjatë viteve 2004-2017.
Rooney u largua nga “Old Trafford” në vitin 2017 te klubi ku e nisi karrierën, Evertoni pasi nuk gjente hapësira nën drejtimin e Jose Mourinhos, teksa vetëm 1 vit zgjati aventura e dytë te klubi nga Liverpooli, për t’u transferuar këtë qershor te DC United.
Megjithatë Rooney thotë se zgjodhi kohën e duhur për t’i dhënë fund periudhës së tij te United.
“Sigurisht se më mungon. Të luaja për Manchester United ishte përmbledhja e karrierës time, dhe qëndrova për një kohë të gjatë, por ishte koha e duhur për t’u larguar. Së pari nuk isha duke luajtur, gjithmonë kam qenë një lojtar që ka preferuar të aktivizohet rregullisht. Atë kohë fola me trajnerin dhe nuk dukej se do të kisha hapësira. Idealja do të ishte që të vazhdoja qëndrimin te United por futbolli ndryshon dhe unë kam shumë kujtime të mira nga atje”, theksoi Rooney.
Wayne Rooney sonte në mbrëmje zhvillon ndeshjen e lamtumirës nga kombëtarja e Anglisë në takimin miqësor me SHBA-të, derisa kjo do të jetë paraqitja e 120-të për të.







