Rooney beson se Kane dhe Sterling janë yjet e Anglisë

Wayne Rooney beson se gjenerata e re e super yjeve në kombëtaren e Anglisë mund të udhëheqet nga sulmuesit Harry Kane dhe Raheem Sterling.

Ish lojtari i Manchester United do ta zhvillojë ndeshjen e fundit me Anglinë të enjten në mbrëmje ndaj SHBA-ve në nje ndeshje miqësore, gjersa ishte pjesë e skuadrës së artë të “Albionëve” por që nuk arritën të kualifikoheshin më shumë se çerekfinalet e kompeticioneve madhore.

Në anën tjetër Sterling dhe Kane ndihmuan Anglinë të arrijë deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës që u zhvillua këtë verë në Rusi, me sulmuesin e Tottenhamit që u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me 6 gola të realizuar.

“Mendoj se ata kanë super yje në skuadër. Kane ka qenë golashënuesi më i mirë në Premier League për 3 apo 4 sezone. Sterling në vitet e fundit ka qenë i shkëlqyeshëm, nuk besoj se është e drejtë të thuhet se Anglia nuk ka super yje”, deklaroi Rooney.

Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Anglisë tutje shtoi se nuk i di arsyet e mungesës së suksesit në periudhën e tij te “3 luanët” pavarësisht se kishte në skuadër emra si Beckham, Lampard dhe Gerrard.

“U munduam të ishim të suksesshëm. Ndoshta na mungoi edhe skuadra rezervë teksa kishim formacionin titullar të jashtëzakonshëm. Na mungoi edhe fati në disa raste duke u eliminuar në penallti”, përfundoi Rooney.