Sulmuesi i DC United, Wayne Rooney, beson se është ende mjaft i mirë për të luajtur në Premier League.

Ish sulmuesi i Anglisë, Manchester United dhe Evertonit kaloi në MLS, ku nënshkroi një kontratë 3-vjeçare e gjysmë në qershor.

Lojtari në fjalë luftoi për të kapur formën optimale, pasi u kthye në klubin e tij të fëmijërisë, Everton, në vitin 2017, si pjesë e një marrëveshjeje që e dërgoi Romelu Lukaku në “Old Trafford”. Megjithatë, 33-vjeçari e ndihmoi skuadrën e tij në SHBA me 12 gola dhe 6 asiste 21 paraqitje.

“Po të tregohem i ndershëm, duke njohur cilësitë e mia, ende mund të luaj në Premier League, – tha Rooney për “CNN Sport”. – Unë e di këtë. Kam qenë gjithmonë një person i sigurt dhe kështu kam pritshmëri të larta për veten time. Kam ardhur këtu me pritshmëritë dhe ambiciet që të bëj mirë. Mendoj se ka pasur njerëz të surprizuar, që kanë mendimet e tyre, gjë që është mjaft e drejtë, por kurrë nuk kam dyshuar fare në aftësitë e mia”.

Ishte Jose Mourinho, ai që e largoi Rooney nga Manchester United. Ai përsëriti besimin e tij se Mauricio Pochettino duhet të jetë trajneri i përhershëm, që të pasojë portugezin në “Old Trafford”. Megjithatë, ish kapiteni i Anglisë mendon se edhe trajneri i përkohshëm, Ole Gunnar Solskjaer, do të ishte një opsion i mirë, nëse e ruan ecurinë e 10 ndeshjeve të para në krye të “Djajve të Kuq”, duke fituar nëntë prej tyre:

“Ole Gunnar është një person fantastik. Unë mendoj se klubi do ta marrë një vendim në fund të sezonit. Do të ishte mirë që Ole të vazhdojë me këtë ecuri dhe të marrë emërim mbi baza të përhershme. Nëse jo, në qoftë se klubi zgjedh dikë tjetër, atëherë unë mendoj se Pochettino do të ishte trajneri i duhur”.