Ronaldo thyen rekordin për gola me përfaqësuese

Cristiano Ronaldo ka realizuar dy gola për Portugalinë të mërkurën mbrëma duke ia siguruar fitoren ndaj Irlandës me rezultatin 2:1, në kuadër të Grupit A të eliminatoreve për Botërorin 2022.

Me dy golat e shënuar Ronaldo është bërë rekordmen i golave me përfaqësuese. Ai ka realizuar 111 gola me përfaqësuesen e Portugalisë, ndërsa ka thyer rekordin e Ali Daeit që kishte shënuar 109 gola me Iranin.

Ronaldo kishte barazuar rekordin e Daeit gjatë Evropianit këtë verë.

Portugalia ishte në disavantazh kundër Irlandës që nga minuta e 45-të, kur realizoi John Egan.

Por, Ronaldo në momentet e fundit arriti t’ia sigurojë tri pikë. Realizoi në minutën e 89-të dhe 96-të. Ronaldo humbi një penallti në pjesën e parë.

Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Luksemburgu triumfoi 2:1 ndaj Azerbajxhanit.