Ronaldo: Talenti s’do të thotë asgjë pa punë

Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka thënë për France Football se ai është duke punuar shumë për të mbetur i ri edhe në moshën 34-vjeçare dhe ka paralajmëruar që talenti s’ka vlerë pa punë.

Sulmuesi portugez është në sezonin e tij të dytë në karrierën me Juventusin dhe ai tashmë i ka shënuar katër gola në Serie A. Ai e pranon se mosha e tij i shkon në mendje, mirëpo jo aq sa trofetë.

“Qëllimi im është që të mbes i ri me kalimin e viteve, që të mbes konkurrent. Sa lojtarë në moshën time e gjejnë veten ku jam unë, në një skuadër si Juventusi?”, tha Ronaldo për France Football.

“Qysh në moshën 19 apo 20-vjeçare, unë e kuptova se futbolli ka të bëjë me numrat, titujt, rekordet dhe golat”.

Edhe pas transferimit në Spanjë te Real Madridi, Ronaldo s’mund t’iu ikë krahasimeve me kapitenin e Barcelonës, Lionel Messin. Mirëpo, ai e pranon se tani e ndien prezencën e argjentinasit më ndryshe sesa kur ishin në të njëjtën ligë.

“Të qenët rivalë të drejtpërdrejtë me Messin na lejoi që të dyve që të bëhemi më të mirë dhe më efektiv. Në Real Madrid e ndieja prezencën e tij më shumë sesa në Manchester United, kështu që kjo e shtoi presionin mbi mua. Nga një këndvështrim, ishte një rivalitet i shëndetshëm”, shtoi Ronaldo.

“Ronaldo e ka dëshmuar se çfarë mund të arrihet nga puna e madhe në futboll, duke fituar trofe të shumta me klubet dhe Portugalisë, por edhe përmes çmimeve individuale të cilat i ka marrë – si pesë Topa të Artë.

“Përbërësit e duhur për t’u bërë futbollist i mrekullueshëm janë: së pari talenti, pa të s’mund të bësh asgjë; por, talenti s’është asgjë pa punë sepse asgjë nuk të bien nga qielli. Unë kurrë s’do të kisha arritur këtu ku jam pa punuar”.

loading…