Ronaldo s’merr pjesë në ceremoni për Topin e Artë

Cristiano Ronaldo do të mungojë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për futbollistin më të mirë në botë për vitin 2019, Topi i Artë, sonte në Paris, sipas Goal Italian dhe shumë mediave të tjera.

Ndër arsyet përse sulmuesi i Juventusit dhe Portugalisë e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në gala mbrëmjen e së hënës, janë fakti se ai e di se nuk do të jetë fituesi i Topit të Artë dhe se do të shkojë në Milano për ta marrë një çmim për paraqitjet e mira në sezonin e kaluar në Serie A.

Për shkak se portugezi nuk do të jetë fituesi i Topit të Artë, ai u ka vënë rëndësi përkushtimeve personale para ceremonisë në Paris.

Prandaj, 34-vjeçari do të jetë në Milano ku do të shpallet Lojtari më i Mirë në Serie A për sezonin 2018/19.

Por kjo nuk do të jetë hera e parë që ai e refuzon ceremoninë, sepse të njëjtën e bëri edhe vitin e kaluar, kur ish-bashkëlojtari i vet Luka Modric e rrëmbeu Topin e Artë 2018.

Lajmet e ditëve të fundit madje sugjerojnë se Ronaldo nuk do të jetë as në top treshe, pasi besohet se ka ngelur prapa Lionel Messit, Virgil van Dijk dhe Sadio Mane.