Ronaldo shkruan letër prekëse: Më thanë se nuk do të ecja më kurrë

Legjenda braziliane, Ronaldo, e ka shkruar një letër prekëse solidariteti për tifozët e Real Sociedadit, klubit të cilin ai e ka në pronësi në La Liga.

43-vjeçari i lavdëroi tifozët që po e mbajnë njëri-tjetrin të sigurt duke qëndruar në shtëpi dhe i krahasoi vështirësitë nëpër të cilat po kalon bota tani me vështirësitë që ai i kishte kaluar gjatë karrierës së tij si lojtar.

“Për disa javë kam qenë duke menduar se si t’iu kontaktoj juve në këto momente delikate të vetëizolimit dhe lajmeve të këqija”, ka thënë Ronaldo, në letrën e postuar në faqen e klubit.

“Më në fund kam vendosur ta shkruaj këtë letër dhe shpresoj që ju do të ndieni dashurinë dhe konsideratën me të cilën jam duke e shkruar. Nga shtëpia ime në të juajën. Nga familja ime në të juajën”.

“Ne jemi të ndarë nga distanca fizike, por jam i bindur se kurrë nuk kemi qenë kaq afër. Dhembshuria është ajo që po na bashkon tani. Kjo frymë kolektive, përgjegjësi dhe humanitet”.

“Futbolli më ka mësuar shumë gjëra. Mësimi më i madh ka qenë s’i t’i kaloj momentet e vështira. Kur e pësova lëndimin tim të parë dhe më seriozin në gju, njerëzit më thanë se nuk do të mundë të luaja kurrë më, se nuk do të mundë të ecja më”.

“Unë ndihesha sikur ma kishin marrë të gjithë jetën. Në ato momente m’u testuan kufijtë dhe unë luftova për t’i ndryshuar ato mendime dhe t’ua tregoja të gjithëve se unë mund ta bëja atë që e doja më së shumti”.

“Ishin tri vjet të vështira rehabilitimi, por isha i motivuar nga dëshira të ndjeja sërish atë që mund ta ndjeja vetëm në fushën e lojës, me topin në këmbët e mia”.

“Në fund, momenti erdhi, ndoshta më i rëndësishmi i karrierës: në vitin 2002, në Japoni, po luaja në finale të Kupës së Botës me Brazilin. I shënova dy gola kundër Gjermanisë. Për vendin tim, titulli i pestë si kampion; për mua, kurorëzimi i kthimit tim”.

“Jam i sigurt se edhe ju, kur të ktheheni prapa në mendime, do të mendoni për rastet e shumta kur u ngritët, nga të gjitha betejat tuaja, dhe sa herë keni arritur t’i kaloni momentet e këtilla gjatë jetës tuaj, ta bënit të pamundurën të mundur dhe të arrini të jeni personi që jeni tani”.

“Sikur ju, edhe unë mezi po e pres kthimin në shtëpinë tonë. I mbyll sytë dhe mendoj për stadiumin Zorrilla plot tifozë. Ky është pasioni që më motivon. Jashtë fushës, jam ende i motivuar ta kaloj çdo sfidë. Ju falënderoj që jeni me mua. Qëndroni të fortë. Ne jemi bashkë dhe do të dalim më të fortë nga e gjitha kjo”.