Ylli portugez

Ronaldo sfidon ndjekësit: Kë e preferoni, mua apo pamjen prapa?

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Cristiano Ronaldo tashmë e ka mbyllur sezonin 2019/20 dhe i ka nisur pushimet verore. Ai së fundi e ka publikuar një fotografi nga jahti i tij i ri, përderisa i ka sfiduar tifozët ta zgjedhin mes tij dhe pamjes prapa.

Juventusi u konfirmua kampioni i Serisë A për herë të nëntë radhazi këtë sezon dhe ky ishte trofeu i gjashtë i ligës për Ronaldon në karrierë. 35-vjeçari vendosi ta festojë titullin duke shpenzuar për blerjen e një jahti luksoz që përfshin pesë kabina, gjashtë tualete, një dhomë ndenjeje të madhe dhe një kuzhinë.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë e bleu këtë jaht për gjashtë milionë euro në tregun e anijeve në Viareggio dhe e përdori atë për herë të parë në javën pasi Juventusi u shpall kampion i Italisë.

Ronaldos nuk i ra të pushonte gjatë atëherë, pasi u desh të kthehej në kamp stërvitor të Juventusit, për t’i nisur menjëherë përgatitjet për Ligën e Kampionëve. Tani që Juventusi është eliminuar, Ronaldo po i shijon pushimet dhe së fundi ka publikuar edhe një fotografi në Instagram.

“Keni vetëm dy opsione: pamjen dhe MUA. Unë po ju lë të zgjidhni cilin preferoni?!”, shkroi Ronaldo.