Tashmë në rolin e presidentit të Valladolid, si aksionari kryesor i klubit të La Liga, Ronaldo, ai braziliani, dha një intervistë për “Financial Times”.

Në të diskutoi rolin e tij, tashmë si sipërmarrës. Sidoqoftë, duke qenë një intervistë me ish yllin e madh brazilian të fushave të blerta, futbolli nuk mund të mbetej pa u cekur.

“Fenomeni” tregon makthin që ka jetuar një natë para finales së Kupës së Botës së vitit 2002 (të zhvilluar në Kore dhe Japoni), kur Brazili luftoi dhe fitoi 2-0 ndaj Gjermanisë.

Bëhet fjalë për frikën se mos një tjetër incident shëndetësor epileptik, si ai që kishte pësuar katër vjet më parë, para finales me Francën (Botërori 1998) mund t’i përsëritej: “Ajo finale luhej në Yokohama, në orën tetë të mbrëmjes, si katër vite më parë në Paris. Pas darke të gjithë shkuan për të fjetur, ndërsa unë thjesht mendova: Nuk dua të fle. Shikova për ndonjë, me të cilin mund të flisja dhe gjeta Dida, portierin. I thashë atij: Jo, ti mos shko të flesh, të lutem qëndro me mua… Nuk fjeta atë natë për shkak të frikës se do të më ndodhte përsëri… Dida qëndroi me mua gjatë gjithë kohës”.

Hipotezat për shkaqet e atij ngërçi shëndetësor epileptik të Ronaldos, një natë para finales së “Francë 1998”, kundër “gjelave”, kanë qenë të shumta. “Njerëzit komplotojnë shumë gjëra, – thotë ish sulmuesi brazilian. – Nuk ishte ndeshja ime më e mirë atë natë, por luftova dhe vrapova. Ka momente kur nuk ndihesh mirë dhe të tjerët përjetojnë gjënë e kundërt”.

Në këtë mënyrë e mbron veten “fenomeni”, para se të marrë Messin si shembull: “Ka gjëra të vështira për t’u shpjeguar në futboll. Fjala vjen, të shohësh Messin me Barcelonën dhe Argjentinën, konstaton një lojtar krejtësisht të ndryshëm. Nuk është e lehtë të luash me kombëtaren tënde në një turne të madh, ku marrin pjesë më të mirët në botë. Nuk është e lehtë ta fitosh Kupën e Botës. Mos harroni se po luanim kundër Francës në Paris”.

Ronaldo është ndalur edhe te mbipesha, nga e cila ka vuajtur jo pak. Një problem, me të cilin duhet të përballej çdo sezon, ishin kilogramët e tepërt. Tani, braziliani e analizon këtë problem nga një tjetër perspektivë: “Të duhet mobilizim për shumë gjëra në jetë, jo vetëm në futboll. Ne sot mbrojmë zezakët, homoseksualët…, fjala vjen. Megjithatë, nuk mbaj mend dikë, që të më mbronte mua, kur më thirrnin trashaluq…”