Ylli i Juventusit

Ronaldo beson se e meritoi triumfin në garën për Topin e Artë

Luka Modric u shpall fitues i Topit të Artë javën e kaluar në një ceremoni gala të organizuar në Paris, por vendi i dytë, Cristiano Ronaldo beson se duhej ta fitonte ai çmimin më të rëndësishëm indivudal në futboll.

Mesfushori kroat i dha fund dominimit 10 vjeçar të dyshes, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që e kishin fituar Topin e Artë nga 5 herë, derisa arritja në finalen e Kampionatit Botëror me Kroacinë dhe triumfi në Champions League me Real Madridin i sollën trofeun Modricit.

Sidoqoftë, sulmuesi i Juventusit që gjithashtu ishte pjesë e skuadrës së “Los Blancos” që e fituan Champions Leaguen mendon se ai e ka merituar më shumë suksesin për Topin e Artë.

Ronaldo ka realizuar 45 gola në 48 paraqitje gjatë këtij viti kalendarik mes klubeve dhe kombëtares, ndërsa në prill e theu një tjetër rekord, duke shënuar në 11 ndeshje rresht të Champions Leagues.

“Mendoj se e meritoj ta fitoj Topin e Artë çdo vit. Punoj në këtë drejtim por nëse nuk e fitoj nuk është fundi i botës. Numrat nuk gënjejnë por mos mendoni se jam më pak i lumtur nëse nuk kam fituar. Kam miq të mrekullueshëm dhe kam familjen time, luaj në njërin prej klubeve më të mira në botë, mendoni se do të shkoj në shtëpi dhe do të qaj? Jam i zhgënjyer por jeta vazhdon dhe unë duhet të punoj shumë. Urime për Modricin, ai e meritoi, por vitin e ardhshëm do të shihemi sërish dhe unë do të bëjë të pamundurën për të qenë atje”, deklaroi Ronaldo.

Cristiano Ronaldo e ka nisur mbarë aventurën e tij të re te Juventusi, duke shënuar 11 gola e dhënë 7 asiste në 19 paraqitje me fanellën e “Bianconerëve” në të gjitha garat.