Romagnoli synon të bëjë krenar Gattuson me fitore në derbi

Alessio Romagnoli ka lavdëruar trajnerin Gennaro Gattuso për raportet që mban me futbollistët, në prag të “Derby della Madoninna”.

Kapiteni i Milanit, Alessio Romagnoli është i motivuar t’i japë fitoren trajnerit Gattuso në derbin ndaj Interit.

Mbrojtësi i kombëtares italiane këtë sezon ka startuar në 6 prej 7 ndeshjeve të “rosonerëve” në Serie A, teksa në fillim të sezonit e mori shiritin e kapitenit nga Leonardo Bonucci i cili u rikthye te Juventusi.

Milani është rikthyer te fitoret pas 3 ndeshjeve të përfunduara në barazim që edhe shtuan pikëpyetjet për stolin e Gattusos, por Romagnoli është i gatshëm të japë maksimumin në mënyrë që trajneri italian të konfirmohet.

“Ne i qëndrojmë afër trajnerit. Ai na dhurojë shumë gjëra sezonin e kaluar kur erdhi, kështu që ne do të tentojmë të bëjmë gjithçka për ta bërë krenar Gattuson. Trajneri ynë e di forcën tonë dhe gjithmonë mundohet të nxjerrë më të mirën nga ne”, tha Romagnoli.

Dy skuadrat e Milanos ndahen nga katër pikë, me “nerazzurrët” që gjenden në pozitën e tretë por me një ndeshje më shumë se Milani.

Romagnoli e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ndërsa pretendon se Interin e kanë rival për një vend që dërgon në Champions League.