Romakët

Roma përgatit largimin e katër futbollistëve

Roma nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 përballë austriakëve të Wolfsberger, duke u kualifikuar të dytët e grupit në fazën e 1/16-ave të Europa Leagues, ndërsa trajneri Paulo Fonseca nuk e ka miratuar aspak paraqitjen e të tijve.

Ai ka shpërthyer në konferencën për shtyp duke akuzuar se lojtarët e tij e nënvlerësuan kundërshtarin, ndërsa në qendër të kritikave përfunduan emra si Fazio, Under apo Florenzi, të cilët kanë luajtur pak gjatë këtij sezoni.

Veçanërisht Florenzi duket se nuk gëzon aspak besimin e teknikut dhe pritet të largohet në janar, ndërsa skuadrat që e kërkojnë janë të shumta, duke filluar me Interin e vijuar me Milanin e Fiorentinën, që janë gati të paguajnë 10-15 milionë euro për kartonin e tij.

Me valixhe në duar është edhe Nikola Kalinic, që erdhi për të zëvendësuar Dzekon, por dëmtimi e la jashtë fushe dhe në janar sulmuesi kroat pritet të rikthehet te Altetico Madridi, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij.

Më i vështirë duket një largim i mbrojtësit Fazio, pasi mosha e argjentinasit është relativisht e madhe dhe asnjë skuadër nuk ka ndërmend të investojë te ai, përveçse po të mund ta marrë falas.

Sa i përket Under, turku pritet të mbetet pjesë e verdhekuqve deri në fund te sezonit, ku e pret një punë e vështirë për të fituar një vend titullari në formacionin e Fonsecës dhe nëse nuk ia del, duhet të bëjë gati valixhet për një tjetër destinacion.