Roma merr fitore të madhe në Holandë, Dinamo e Kastratit mposhtet në Zagreb

Roma e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Evropës. Të enjten, të drejtuarit e Paulo Fonsecas mposhtën Ajaxin e Erik Ten Hag me rezultatin 2:1.

Gjiganti holandez, Ajaxi, kaloi i pari në avantazh në stadiumin “Johan Cruijff Arena”. Davy Klaassen shënoi në minutën e 39-të.

Megjithatë, Roma u kthye në lojë në pjesën e dytë. Rezultatin e barazoi i talentuari Lorenzo Pellegrini, që shënoi nga gjuajtja e lirë, por me një gabim të portierit holandez, Kjell Scherpen.

Ishte mbrojtësi Ibanez ai i cili vulosi rezultatin final të takimit. Mbrojtësi i Romës shënoi për mrekulli tre minuta para fundit.

Dueli kthyes që luhet pas një jave, do ta përcaktojë gjysmëfinalistin e këtij takimi.

Te Roma mungoi Marash Kumbulla, që është i dëmtuar në gju.

Ademi e Kastrati mposhten nga Villarreali

Arijan Ademi ka kompletuar ndeshjen, ndërkohë që Lirim Kastrati është aktivizuar në pjesën e dytë, të enjten mbrëma. Skuadra e tyre, Dinamo Zagreb, ka pësuar 1:0 në shtëpi nga Villarreali.

Ishte kjo ndeshja e parë e çerekfinales së Ligës së Evropës. Gerard Moreno ka shënuar golin e fitores në minutën e 44-t. Ajo u akordua për lojë me dorë në zonë nga një mbrojtës i skuadrës kroate.

Reprezentuesi i Kosovës, Kastrati, u aktivizua në minutën e 61-të në vend të Kristijan Jakiqit. Por sulmuesi i krahut nuk mundi të bëjë dallimin.

Ndeshja e kthimit është më 15 prill në Villarreal.