Roma humb shërbimet e dy lojtarëve deri në vitin e ardhshëm

Roma nuk po gjen paqe në këtë fillim sezoni. E përgjysmuar nga dëmtimet, skuadra e drejtuar nga Fonseca duhet të bëjë llogaritë me problemet fizike të Kalinic dhe Cristantes, të cilët lanë të detyruar fushën në sfidën me Sampdorian.

Sikurse njofton klubi verdhekuq, testet mjekësore kanë evidentuar frakturë në këmbë për sulmuesin dhe shkëputje të tendinës së muskulit (aduktorit) në kofshën e djathtë të mesfushorit.

Probleme këto më të rënda sesa parashikoheshin për të dy futbollistët, që do të qëndrojnë në infermieri për një kohë të gjatë.

Roma nuk e ka njoftuar zyrtarisht periudhën gjatë së cilës do të mungojnë lojtarët, por përshtypja e parë është se do të qëndrojnë jashtë 2-3 muaj.

Shumëçka do të varet edhe nga zgjedhja që do të bëjnë stafi mjekësor i Romës, që në rastin e ish futbollistit të Atalantës duhet të vendosë mes ndërhyrjes kirurgjikale dhe terapisë.

E vetmja gjë e sigurt është që në Trigoria emergjenca e dëmtimeve po rëndon shumë. Si në sulm, ku Fonseca nuk mund të ketë alternativa për Dzekon (nuk mund të llogaritë ende Under dhe Mkhitaryan) ashtu edhe në mesfushë.

loading…